Ndeshja e fundit e këtij sezoni në La Liga ishte ajo mes Atletik Bilbaos dhe Barcelonës. Të dyja ekipet i kanë arritur objektivat e tyre për këtë sezon, Barcelona ka fituar titullin, ndërsa Bilbao është kualifikuar në Champions League, duke u renditur në vendin e katërt.
Katalanasit e nisën shumë mirë takimin, duke shënuar dy gola brenda 4 minutash. Në minutën e 13, Robert Levandovski hapi serinë e golave, duke kaluar bukur Unai Simon, pas asistit të marrë nga Fermin Lopez. 4 minuta më pas, polaku realizoi sërish, këtë herë me kokë pas krosimit nga goditja e këndit nga Rafinja dhe devijimit të mbrojtësit vendas, Leva shtyu topin në rrjetë.
Në minutat në vijim, Barcelona pati disa raste të pastra shënimi me Jamal, Levandovski e Rafinjan, por që nuk u konkretizuan në mënyrën e duhur. Goli i tretë i Barcelonës erdhi në minutën e 94, ku Dani Olmo u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, e fituar po nga vetë ai, pasi u pengua brenda në zonë.