Ata të dy kanë fituar për 9 vite radhazi Topin e Artë, duke e kthyer trofeun më të rëndësishëm individual për një futbollist në pronë të tyren. 5-4 kryeson Lionel Mesi për momentin me Cristiano Ronaldon që është fituesi i edicionit të fundit. Megjithatë vështirë se kjo diferencë mes të dyve do të ndryshojë më, pasi forma e argjentinasit dhe e portugezit nuk është më e njëjta dhe hegjemonia e vendosur nga Ronaldo dhe Mesi gjatë këtyre viteve mund të prishet në 2017-ën. Është i sigurtë për këtë Franck Ribery. Mesfushori me tipare sulmuese, i cili në këtë sezon ka lënë pas dëmtimet, duke rigjetur formën e tij më të mirë, ka folur pikërisht për Topin e Artë.
Ribery, i cili ka rivalizuar me Mesin dhe Ronaldon në 2013-ën për këtë trofe ka një emër dhe një mbiemër, se cili mund të jetë futbollisti që mund të thyejë hegjemoninë e vendosur nga Leo dhe Cristiano. Francezi propozon shokun e tij të skuadrës Robert Lewandowskin si njeriun që mund të bëjë të tijin, Topin e Artë në vitin 2017. Sipas 33-vjeçarit, Mesi dhe Ronaldo nuk janë më futbollistët më të mirë në Botë për momentin madje Ribery shprehet me bindje se Lewandowski qëndron mbi ta. “Leva është i mrekullueshëm, ai përfundimisht meriton ta fitojë Topin e Artë. Këtu te Bayerni kam luajtur me shumë sulmues të mëdhenj, Luca Toni, Mario Gomez dhe Miro Klose të gjithë kanë qenë fantastikë, por Lewandowski është më i kompletuari nga të gjithë”, theksoi Franck Ribery.