Lewa: Tani e çoj topin në rrjetë

Robert Lewandowski është një nga qendërsulmuesit më të mirë në botë. Bomberi polak është shndërruar në “fabrikë” golash duke shënuar në çdo kompeticion. Gjatë një interviste për “Tz”, sulmuesi i Bajernit flet për situatën e penalltisë ndaj Rostovit në Champions, leksionet që i ka dhënë Kimishit si dhe taktikën e Ançelotit.
-Lewandowski, para gjuajtjes së penalltisë kundër Rostovit, ju shkoi në mend t’ia linit Mylerit ta gjuante si dhuratë për ditëlindje?
Jo! (Qesh) Rezultati ishte barazim 0-0 dhe Rostovi nuk kishte ndërmend të luante futboll, por të qëndronte me 8-9 lojtarë në mbrojtje. Goli ishte i rëndësishëm. Për më tepër, Myleri ia bëri dhuratën vetes. Ne bëmë detyrën dhe morëm tri pikët në Champions.
-Para atij momenti, edhe Vidal qëndroi pranë jush, jo për herë të parë. Ju pyeti?
Ndoshta donte ta gjuante vetë. Jo, jo! (Qesh) Këtë herë nuk më pyeti fare. Është e vërtetë që pyet ndonjëherë, sepse ka dëshirë shumë të shënojë gola. Ishte e qartë që do gjuaja unë. Këtë e di edhe Arturo.
-I keni dhënë leksione Kimishit për nuhatjen e golave?
Në fakt, ai më ka pyetur sesi arrij të shënoj golat. Më vjen mirë që shënoi sërish. Dy javët e fundit kanë shkuar perfekt për të. Pas golit me kombëtaren gjermane, shënoi golin e parë në Bundesligë dhe dy në Champions. Kimish po e tregon që është superlojtar. Nëse do kem nevojë për pushim, atëherë mund të më zëvendësojë ai. (qesh)
-Keni gjetur ndonjë bastexhi për golat?
Akoma jo. Por, nëse i hedh një sy fazës së dytë të sezonit të kaluar, atëherë shanset janë të mëdha për të thyer rekorde. Për këtë gjithmonë është i nevojshëm një bast. Aubamejang u vetofrua, por kam përshtypjen se do dorëzohet shumë shpejt.
-Europiani dhe pushimet e shkurtra nuk ju paskan penguar të riktheheni në formën tuaj më të mirë. Si ia keni arritur?
Superforma do më duhet kur të jetë e nevojshme. Tani luajmë çdo tri ditë dhe është e rëndësishme të fitojmë. Dua të tregoj gjithmonë potencialin tim. Nuk do më zërë gjumi për asnjë moment dhe nuk do kënaqem kurrë me veten apo rezultatet. Po përmirësohem çdo ditë. Duke investuar atë që do, të vijnë si golat dhe fitoret.
-Me Ançelotin keni pesë fitore radhazi me një golavarazh 20-0. Tetë prej tyre janë shënuar nga ju. Si e shpjegoni?
Ky është një rezultat i arritur nga të gjithë ne. Me Ançelotin kemi ndryshuar disa detaje bazike. Me të i afrohemi më shpesh zonës së rreptësisë dhe e godasim më shpejt dhe më shpesh portën. Ne nuk flirtojmë, por shkundim rrjetat e portave.

Exit mobile version