Lezha në prag të zgjedhjeve: Asfalt për vota apo investime për qytetarët?

Nga Elvis Hila

Fshati Kallmet, që ndodhet 10 kilometra në veriperëndim të qytetit të Lezhës, shtrihet në një terren kodrinor të pasur me vreshta, ullishte dhe tokë pjellore. Ky terren e ka bërë të njohur për prodhimin e verës së kuqe me të njëjtin emër.

Megjithatë, infrastruktura e fshatit, ndryshe nga fama që lidhet me prodhimet cilësore, nuk ka qenë në të njëjtin nivel. Kjo ka bërë që një investim i kohëve të fundit nga Bashkia Lezhë të mirëpritet nga banorët.

“Më në fund erdhi dita që rruga këtu të bëhet me asfalt,” tha një i moshuar nga Kallmeti, ndërsa rruga pranë banesës së tij po asfaltohej. “Kemi vuajtur shumë, sepse rruga ishte gjithnjë me baltë dhe gropa,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, banorët e fshatit Tresh, i cili ndodhet vetëm 13 kilometra në jugperëndim të Kallmetit, nuk ndajnë të njëjtin optimizëm për investimet e bashkisë në rrjetin rrugor.

“E gjithë kjo bëhet për të na mashtruar dhe për të marrë votat tona, pasi po vijnë zgjedhjet,” tha një banori i Trushit, i cili preferoi të mbetej anonim. “Ku ishin këta gjithë këto vite? Sot vijnë dhe bëjnë sikur po punojnë,” pyeti ai.

Qarku i Lezhës prodhon 7 mandate deputetësh, dhe forcat politike kanë filluar intensifikimin e aktivitetit për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike po zhvillojnë takime të shumta, si brenda ashtu edhe jashtë vendit – pasi vota e diasporës shihet si vendimtare në këto zgjedhje.

Ndërkohë, me afrimin e fushatës zgjedhore, nuk kanë munguar akuzat nga opozita për keqmenaxhim të fondeve publike për qëllime elektorale dhe për presion ndaj administratës publike, duke përfshirë regjistrimin dhe ndarjen e të dhënave të votuesve emigrantë me Partinë Socialiste.

Përfaqësuesja e Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë në Këshillin Bashkiak, Alfrida Marku, shprehet se buxheti i miratuar nga Këshilli Bashkiak – i cili kontrollohet nga Partia Socialiste – nuk reflekton nevojat e qytetarëve. Sipas saj, buxheti është fokusuar tek rrugët për qëllime elektorale.

“Gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2025, nga ana e Bashkisë Lezhë nuk pati transparencë dhe respektim të prioriteteve, si pasojë e mungesës së konsultimeve të mirëfillta me qytetarët dhe grupet e interesit,” tha ajo.

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, nuk bie dakord me këto akuza. Ai e vlerëson buxhetin e këtij viti si më të madhin në historinë e njësisë së qeverisjes vendore. Sipas Ndreut, buxheti vjen për herë të parë me zero borxhe të mbartura dhe investimet nuk kanë asnjë lidhje me periudhën zgjedhore.

“Është një arritje dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme, një administrim korrekt dhe me përkushtim i gjithë stafit,” tha ai. “Në këtë mënyrë i kemi dhënë frymëmarrje Bashkisë Lezhë, gjë që na mundëson realizimin e një sërë investimesh,” shtoi Ndreu.

Në fund të vitit 2024, Bashkia Lezhë miratoi buxhetin për vitin 2025, i cili kap vlerën e 2.27 miliardë lekëve. Nga ky buxhet, 42.3% do të shkojë për investime publike, 29% për paga dhe 28.7% për mallra dhe shërbime.

Me këtë buxhet, është parashikuar ndërtimi i 51 rrugëve në zonat rurale dhe urbane, si dhe një fond prej 70 milionë lekësh për rindërtimin e një pallati në qendër të qytetit të Lezhës, i cili u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Sipas Alfrida Markut, gjatë dy viteve të fundit investimet e bashkisë u përqendruan vetëm në infrastrukturë rrugore, duke anashkaluar problematikat e tjera që banorët kanë në çdo njësi administrative.

“Madje, viti 2024 u karakterizua edhe nga moszbatimi në kohë i investimeve të premtuara, si pasojë e dy faktorëve: parashikimet jorealiste dhe përpjekjet për të shtyrë punimet sa më afër periudhës zgjedhore,” tha ajo.

“Të njëjtën gjë po bëjnë edhe me buxhetin e vitit 2025, pasi janë parashikuar investime në 51 akse rrugore, dhe kjo është tërësisht për qëllime elektorale,” shtoi Marku.

Edhe planifikimi i 70 milionë lekëve për rindërtimin e një pallati të dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 ka sfond elektoral, sipas këshilltares së PD-së. Përveç pallatit, bashkia do të investojë edhe për rindërtimin e 41 banesave të dëmtuara nga tërmeti.

“Uroj që të jetë një parashikim serioz dhe objektivi të jetë zgjidhja përfundimtare e problemit të tejzgjatur të këtyre familjeve, e të mos jetë një përpjekje për t’u përdorur gjatë periudhës elektorale,” tha ajo.

“Theksoj se kjo shtesë në buxhet u paraqit një ditë para diskutimit në Këshillin e Bashkisë për projektbuxhetin e vitit 2025, disa ditë pasi këshilltarët ishin njohur zyrtarisht me projektbuxhetin 2025,” shtoi Marku.

Ndreu pranoi se, ashtu si në vitin 2024, edhe në vitin 2025 fokusi i buxhetit të Bashkisë Lezhë do të jetë tek infrastruktura, por mohoi se kjo shtyhej nga interesa elektorale.

“Po vazhdojnë investimet e parashikuara në rrugët e zonave rurale, dhe po ashtu kemi parashikuar ndërhyrje në 51 rrugë të tjera në qytet dhe fshatra,” tha ai. “Nuk ka aspak lidhje me zgjedhjet e 11 majit, por ne mendojmë se situata është tejet problematike dhe ndërtimi i rrugëve është një domosdoshmëri,” shtoi Ndreu.

Ai theksoi se rindërtimi i pallatit të dëmtuar nga tërmeti dhe i 41 banesave individuale do të realizohet me fondet e bashkisë, ndërsa shtoi se më herët procesi i rindërtimit u bllokua për shkak të rritjes së çmimeve të ndërtimit.

Nga ana tjetër, opozita pretendon gjithashtu se Partia Socialiste po i bën shantazh administratës për të siguruar vota nga diaspora. Nënkryetari i Partisë së Lirisë në Lezhë, Vivian Golemi, thotë se administratës i është shpërndarë një formular për ta plotësuar dhe, sipas tij, po i kërcënojnë me largim nga vendi i punës.

“Punonjësve të administratës u është shpërndarë një formular dhe secili prej tyre duhet të sigurojë 5 vota për Partinë Socialiste, në mënyrë që të ruajnë vendin e punës,” tha Golemi. “Këto janë metoda antidemokratike që synojnë deformimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e 11 majit,” shtoi ai.

Por kryetari i Bashkisë Lezhë dhe përfaqësuesi i Partisë Socialiste në pushtet, Pjerin Ndreu, i hedh poshtë pretendimet e opozitës në lidhje me votat e diasporës.

“Lajthitja opozitare ka shkuar deri aty sa të besojnë se regjistrimet e emigrantëve bëhen nën presion,” tha ai, ndërsa shtoi se opozita ka humbur “orientimin, logjikën dhe rrugën në oborr të vet.”

“Po pse, kaq të thjeshtë e dinë këtë punë opozita sa nxjerrin xhevahire të tilla bajate?” pyeti Ndreu. “Kujt i hyn në punë një regjistrim emigranti nën presion?” përfundoi ai./BIRN

Exit mobile version