Shefi ekzekutiv i Facebook-ut Mark Zuckerberg do të dëshmojë në Dhomën e Përfaqësuesve këtë muaj mbi planet e rrjetit social për të nxjerrë një monedhë dixhitale që do të përdorej në të gjithë botëm, njoftuan zyrtarët të mërkurën.
Në një deklaratë të komisionit të Shërbimeve Financiare të kësaj Dhome thuhej se se zoti Zuckerberg do të ishte dëshmitari i vetëm në seancën dëgjimore mbi “kontrollin e Facebook-ut, ndikimi i tij në shërbimet financiare dhe sektorin e strehimit”.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur monedha e planifikuar digjitale Facebook-ut që do të njihet me emrin Libra (Pershorja) po përballet me kritika të forta nga entet rregullatore dhe ligjvënësit si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Evropë.
Në fillim të këtij viti shefi ekzekutiv i Facebook-ut David Marcus, i cili po drejton përpjekjet për nxjerrjen e monedhës digjitale, i doli në mbrojtje planeve për këtë qëllim gjatë seance prej më shumë se dy orësh në komisionin Bankar të Senatit.
Ai tha se monedha digjitale nuk do të dalë pa marrë më parë miratimin e institucioneve rregullatore.
Zoti Marcus dhe drejtuesit e tjerë të Facebook-ut pretendojnë se monedha e re digjitale mund të ndihmojë në uljen e kostove për transferimin e parave në të gjithë botën si dhe do të ndihmojë ata që nuk kanë qasje në sistemin bankar.
Ministri francez për Ekonominë e Financat Bruno Le Maire ka paralajmëruar se në rrethanat aktuale Libra (Peshorja) do të përbënte një kërcënim për “sovranitetin monetar” të qeverive dhe se nuk mund të autorizohej në Evropë.
Javën e kaluar kompania e pagesave digjitale PayPal njoftoi se po hiqte dorë nga aleanca me kompanitë dhe organizatat që e reklamojnë këtë monedhë dhe ngriti pikëpyetje mbi aftësinë e Facebook-ut për ta nxjerrë monedhën në fillim të vitit të ardhshëm sikurse është planifikuar.