Nga Xhevair Lleshi
1
Ministria e re e kulturës, dikur e strehuar tek ish Kinostrudio e Re, u zgjua nga gjumi me emër të ri: «e Ekonomisë, e Kulturës dhe e Inovacionit». Emri tek ministria do të jetë, por në të vërtetë ajo do jetë një drejtori e rëndësishme (s’ka si të jetë ndryshe) dhe, natyrisht, të gjejë mundësi për të vrapuar plot dhembshuri për tek finishi i ri, atje ku thuhet mbërritje. Unë s’kam punë me emërtimet e ministrive, por do t’më pëlqente të ishin më mirë nja katër ministri dhe njëra vetëm gjigante, ajo e brendshme, dhe të ashtuquajturat ministri të tanishme të ktheheshin në drejtori, siç ndodhi tani me kulturën.
Ndërsa për t’u shtruar në punë do të ishte vërtet një gjë e rëndë, e madhe. Siç ndodh sot e gjithë ditën e lume! Mirë ministria jonë e kulturës (domethënë edhe libri, të cilit i ka humbur vula dhe s’i ndihet kakërima!) emrin e ka në mes, domethënë jeton e mbrojtur mes mekanizmave mbrojtës ekonomikë dhe atyre inovativë. Edhe po u desh ndonjë karrige shtesë, s’ka problem, aty ku është kultura patjetër që nxë. Por, sidoqoftë, tani për tani ajo mund të hante rehat ushqimin e përditshëm, ose të ripërtypej. E po kjo punë kështu!, gurgullonte ndonjë zë aty-këtu, sikur është shumë shtrënguar dhe e shtypur! Si sardelet e mia të dashura në konserva, de! Ku ka më mirë!…
Po libri? Ku është libri? Librit të gjithë i japin fjalën për ta sjellë në binarë, ndoshta se është më e lehtë të premtosh për të. Tani të gjithë ia kërcasin bisedës për librin. Dhe i bien gjoksit. Në fund, në të tre ekstremet e tryezës qeveritare janë grupet e çrregullta të të rinjve, rrinë të përngrehur duke e admiruar përherë e më shumë prurjet e jashtëzakonshme të spektrit kulturor e sidomos të librit, madje edhe tani kur s’jemi as një milion e gjysmë banorë, domethënë ç’ishim në fund të viteve pesëdhjetë të shekullit XX, duke vështruar vetëm përpara dhe përherë duke qeshur. Megjithatë, njoftojnë se ata të kulturës kanë mbetur në këmbë. Burrat e kulturës dhurojnë me fjalë mundësi të rralla zhvillimore. Kemi me se mburremi, apo jo? Teatrin e shembëm, shtëpitë e kulturës bëjnë sikur jetojnë dhe as kanë mundësi të argëtohen, institucionet e tjera nuk e dinë as vetë ku janë. Bibliotekat, fjala vjen si streha e librit, pjesë e qenësishme e të cilave duhet të jenë edhe librat, s’dinë ku janë e çfarë bëjnë. Nga mbi tremijë biblioteka të mëdha deri në fund të viteve tetëdhjetë, të shekullit të kaluar, këtej gjatë viteve nëntëdhjetë e dymijë ato kanë mbetur pesë e gjashtë në gjithë vendin tonë aq shumë të zhvilluar! Kaq me tepri i kemi mbështetur shpresat te bibliotekat saqë Tirana si kryeqytet (i vetmi në botë pa bibliotekë qyteti!) ka vetëm disa ‘biblioteka’ lagjeje me nga dy-treqind libra. Çfarë serioziteti. Por megjithatë shpresa është ajo që vdes e fundit. Ndaj dhe meqë kultura u fut në mes të ekonomisë dhe inovacionit, medoemos do fuqizohet dhe bashkia me aq shumë fonde do t’i bëjë me libra edhe bibliotekat e lagjeve, të cilat një ministër i ri besoj shumë se do t’ia krijojë këtë mundësi qytetit të tij të dashur. Sigurisht që ka kohë të lërë gjurmë. Dihet mirë se për këtë duhen këllqe ose thjesht një punë e përpjekje e jashtëzakonshme.
2
Librit as që i bie ndërmend të dëgjojë leksione, këshilla me zë të lartë ose të ulët, edhe kur shoqërohen me protesta e zemërim. Pa të shohim pak, mos e kini gabim, sikur të shtyheni ca se kemi vapë, ku gjithkujt i shkrep një ide fantastike. Libri, ndërkohë, është bërë serioz, akull i ftohtë, i papërfillur, që ndonjëherë krekoset ca si shumë, madje ia thotë mendjes, të bëhet i padurueshëm në shoqëri me ato shpërthimet dhe marrëzitë që bën. Po le t’i lëmë pak mënjanë librat, të bëjnë gjumin e madh.
U mbyll librari ‘Albania’! Si more? Po. Epo, edhe ajo tani e gjeti të mbyllet? Në fillim i bënte lëvizjet me ngadalë, buzëqeshjen e kishte të këndshme, sikur të kthehej nga drejtimi i ndonjë konference diplomatësh. Por ja që u fik, u shua. S’ka më librari. O-hu-ha! S’paske punë e zanat ti, merresh me libraritë! Po, merru, bre! Ndërsa me ato sjelljet e tua tepër elegante kundrejt librave dhe lexuesve, duhet të merrje pjesë në pritjet e një bejlereshe të Rilindjes së re.
Teksa u mbyll kjo librari, ç’pret nga të tjerat! Jo, librat janë thjesht për fëmijët dhe të rinjtë, për burrat dhe gratë, për këdo tjetër që i intereson. Të paktën të përshkruajmë kohën e bukur të lexuesve të mëdhenj shqiptar. Atëherë kur Shqipëria ishte burg dhe dihet libra mund të lexojnë kryesisht të burgosurit, nuk mund të kishim kohë më të mirë: ishin të gjithë fisnikë, ose të pasuruar me dije, shkurt, njerëz për së mbari. Ndërsa, për sa u përket librave, ato kanë një paraqitje mjaft të mirë, por kështu si ka ardhur puna është për të vënë kujën. Po, mirë librat, thotë dikush me sarkazmë, mblidhni mendjen, ne së shpejti do mbetemi vetëm me pleqtë dhe pa njerëz fare derisa të shuhet edhe plaku ose plaka e fundit, të cilët me siguri do t’i çojnë në kremator robotët, domethënë inteligjenca artificiale. E tmerrshme!…
Sipas popullsisë që jeton në Shqipëri vendi ynë duhet të ketë maksimumi 80 deputetë. Aq pak sa kemi ngelur, për fat të keq, ne i biem kavallit kot. Jo, mor jo, nuk i biem kot, se jemi mbi 20 milionë shqiptarë nëpër botë! Aq shumë? Po pse qenkemi shpërndarë? E ku ta dish, por ndoshta se nuk kemi pasur ç’të hamë! Po, mirë, o mirë, lëri tani këto, e kishim fjalën për librat. Për librat? Vërtet? Jo libra, po këtu s’ka as njerëz. Përkohësisht vetëm Tirana ka njerëz dhe mund të zësh në gojë edhe librat… Njoh disa lexues të mëdhenj, që i dinë librat në majë të gishtave. Ashtu si shkrimtarët e mëdhenj në një vend të vogël edhe lexuesit siç kuptohet kanë mbetur me kokrra. Epo ja, tani libri mbahet në telefon, lexo në WhatsApp, pra. Ose në një tablet po deshe. Është fare e kollajtë! Fol sa të duash me tjetrin, lexo sa të duash libra. Aty i ke të tëra! Dhe pastaj mos thuaj se të dhembë koka! Nga vetja e ke. Koka vetë ta ka bërë! Si çdo e keqe edhe leximi i librave andej buron. Pikë. Dhe mos e lëviz shumë bishtin. Se të njohim mirë kush je! I dimë edhe pllanet e tua! I dimë madje edhe ato çfarë ti parashikon! Prandaj, të lutemi për herë të fundit: lëri fallet me pushtetet dhe me marrëzitë e tjera. Në këtë globalizëm të tërbuar ku jetojmë vendet e vegjël dhe popujt e vegjël (po edhe gjuhët xhuxhe të tyre gjithashtu!), janë të destinuara nga Zoti lehtësisht për të vdekur… Jo, mos mendo që ke zbuluar ca si shumë, duke u nisur sidomos nga mosha jote, ndërkohë që duhet të ishe më i përmbajtur. Shiko nga vetja më mirë! Kujt ia bën ti këto që shkruan e boton? Neve? E ku e dimë ne se çfarë jemi? Aha, e dinim! Po, more po, e dinim se ashtu na thoshte qeveria, prandaj e shkreta na solli në shtëpi dhe kudo biblioteka. Do që ta vërtetoj? Shko tek të gjitha urat e Lanës, apo rrëzë mureve të pallateve pranë saj dhe atje gjen të gjithë emrat e heronjve të bibliotekave shqiptare, po edhe italiane. Merr vesh: edhe italiane. I shesin nipat dhe mbesat aq të dashur, sepse kuptojeni de, libri ka dalë jashtë mode! Dhe kur del jashtë mode, ai, libri, aroma e tij nuk çmend më njeri dhe kuptohet që më pas ndodh ajo që duhet të ndodhë: asgjësimi!
3
Megjithëse edhe ti që më lexon tani, me dashje ose pa dashje, shikon një lajm dhe pataksesh. Biblioteka e ashtuquajtur kombëtare, që edhe ato pesë libra që shteti mund t’i blinte, siç ndodh kudo në botë, t’i merr me përdhunë, me një të lëvizur të gishtit (dhe nuk është e vërtetë se ai është gishti i mesit i ngritur vertikalish! Kjo është gënjeshtër!) t’i merr dhe ti i dashur mendo se po përjeton një nga ditët më të bukura të jetës sate, ndonëse për fat të mirë biseda (ose leximi i ndonjë libri!) nuk po ecën me ritmin e kënaqshëm, përkundrazi, mezi po shtyhet, madje mund të themi se burrat që nuk njiheshin njëri me tjetrin, vështrohen në sy, zonjat rrinë si gjithnjë të heshtura, sepse ende nuk dinë në ç’gjuhë të bërtasin! Dhe është pikërisht ky momenti që edhe Zotin ta përfshijë një habi e madhe. Ai kishte besuar se të ftuarit në Tiranë do të flisnin shqip!…
E meqë zumë ngoje bibliotekën kombëtare, për të cilën ne flasim gjithnjë me krenari, ajo e mjera, me gjithë emrin e ndritur që gëzon, është kthyer në magazinë librash të futura në kuti bananesh. Më vjen se aty dëgjoj hera – herës edhe ndonjë shprehje urdhëruese, si për të ndenjur urtë e gojëmbyllur, se atyre të shkretëve po u bie bretku duke u lodhur ngri e ul kuti bananesh! Se ky i uruar libër është dhe i rëndë. Edhe sidomos në kuti bananesh! Mirëpo do ti? Kaq u desh që të nisin e të flasin gjithë sa janë për fëmijët, gjatë së cilës kryesisht zonjat e reja preken fort dhe mallëngjehen ligsht.
Po pse janë në kuti bananesh, hë? Po sepse s’kanë vend ku t’i vënë! Fundja kur s’ka më kartela dhe të gjithë kanë nga dy-tre telefona, e ç’u duhet të vijnë në bibliotekë, atëherë pse të mos shkulesh së qeshuri teksa i sheh të dy të futur poshtë bodrumeve bashkë me kutitë e bananeve, në cep fare, madje dhe aty të ngehesh duke pirë ndonjë cigare dhe… largohu së andejmi të paktën duke lënë shkëndijën e zjarrit prapa… Nuk e kini idenë sesa e zhdërvjelltë bëhet më pas biblioteka e gjorë! Dhe kuptohet që s’e ka fajin as ministresha e vjetër dhe as ministri i ri, i cili njihet të paktën për burrë serioz. Pale drejtori i madh i bibliotekës së madhe, madje edhe më i madh se drejtori i parë i saj, një austriak që edhe shkruante libra e bënte studime, që herë-herë pinte kafe edhe me bejlerët shqiptarë të Stambollit…
– Oh, këtu nuk rrihet më! – nis e thotë me një lloj trimërie. – Merreni me mend, shkon i biri i botës dhe ia këput gjumit mbi libra. Se duhanxhinjtë atë punë kanë, pinë duhan edhe kur flenë!
– Ka humbur vlera e inventarit! – ia këput një tjetër, të cilin drejtori do të duhet me patjetër që ta çojë në teatër, në mbrëmje. Po ku, në qendër s’ka teatro. Ai që ishte e lanë, ja t’i bësh motër e vëlla me librin, të vdiste vetvetiu, në rënie të lirë.
– Ç’thua, mo! Teatrit i vunë rruspat!
– Më mirë thuaj rrospiet!… Naa, mbaje gojën, se ta marrin kartën e identitetit pastaj. Se mezi të kemi! Burrë me mustaqe e me mjekër!… – Afrohet mu tek veshi dhe i pëshpërit diçka për qeverinë dhe identitetin. Pastaj fiket muhabeti…
Edhe në bisedë të lirë hidhen përpjetë nga gëzimi, përplasin duart e vogla dhe të mëdha: “Do të shikojmë Kadri Roshin të luajë në teatër! Do të shikojmë si luan Violeta Manushin po në teatër!… Oh, ç’ka për të vajtur!”
Drejtori i teatrit kombëtar (besoj drejtor do të jetë, se drejtoreshë nuk besoj, ngaqë qeveria është velur prej tyre!) buzëqesh e kënaqur, me sytë të lagur prej dhembshurisë atërore.
– Po ç’ne Kadriu, Violeta! Na morët mendjen… – vazhdon drejtori, – bëhet fjalë për robotë, inteligjencë artificiale, të veshur si Kadriu dhe Violeta, madje edhe me zërin e tyre!
– Ç’thua! Po ky qenka lajm!
– I kam parë në prova: janë aq të lezetshëm, aq serioz si të rritur, sikur e hanë me sy publikun, pastaj pyesin se përse Kadriu, ai gjatosh i përkryer, i kishte këmbët ashtu të shkurtra dhe të zhveshura fare…
4
Të gjithë të pranishmit ia japin të qeshurit. Mirë që ngadhënjen kjo në krenarinë e tyre, edhe prej ati, teksa flet me vajzat apo djemtë e tij në Paris, Londër, Berlin, Vjenë, Romë, Madrid, New York, Tokio… Ai i adhuron fëmijët, vetëm një shqetësim ka, të rrisë pasurinë e tyre duke e administruar mirë paranë e popullit, me rreptësinë e një ekonomisti besnik, paratë që fiton me djersë balli në teatër e gjetiu., edhe në librari. Fjala e nxë edhe librarinë. Urtë e butë.
Kur kujtohet se dikur ky librar, dirigjent orkestre në një nga ato që tridhjetë vite më parë i gjeje ku të mundje, ku edhe këndohej, ata qenë dashuruar marrëzisht. Sot, ata janë miq të mirë. S’kanë kohë për t’u parë, as të bien dakord mes tyre se kush punon më shumë në librari, ndërsa mund të gjeje diçka tjetër më të mirë, ku të shprehë gjithë talentin dhe bukurinë e saj, kurse ai, ta harronte atë violinë, që të kujdesej më mirë për sukseset e shoqërisë duke shitur libra!… Nuk mund të gjendet një familje më e bashkuar dhe më e ngrohtë, sesa burrë e grua artistë në një librari që mezi i nxë dy vetë, e mbushur deng me libra!…
– Ëndërr me sy hapur është kjo? – pyet gazetari i ndrojtur.
– Jo, e ke gabim! Ke paguar gjë ndonjë lekë për të parë ëndrra? – u përgjigj administratori i një shtëpie botuese. – Oh! Por menaxheri im është tepër i shkathët! I gjen sponsorët me nuhatje…
Pastaj ai bën shaka duke ngacmuar një nga koleget e shumta, duke e truar se po pastronte paratë e pista duke botuar libra! Mos, deri këtu paska arritur puna! Më pas hidhet dikush që thotë me një pamje të qetë se, sikur të ishte bërë botues, nuk do ta prishte pasurinë e tij kaq marrëzisht! Librat nuk shiten dhe shtëpitë botuese shtohen. Madje njëra prej tyre bën libra luksi! Duke folur, ai e vështronte ‘bankierin’ e tij sipër supeve të së shoqes, për të parë nëse ky ishte bërë bashkë me të, apo jo. Mirëpo, pas pak minutash, hidhet fjala tek ndërtuesit, të cilët bisedonin shumë pranë njëri-tjetrit, duke acaruar këdo që i shihte. Mos vallë po e humbte kohën kot me këto marrëzira? Dhe, me duart e bukura, ku dukej një diamant në gishtin e vogël, ai i jep fund një bisede të nisur për fëmijët, vazhdon akoma për librat dhe inteligjencën artificiale. Fjala, me ç’duket, duke qenë e mbushur me turbullira ngaqë ishte aq pranë me librin, kalon për inovacionin, të cilin ai ka pasur kënaqësinë ta shihte në Teatrin e Inteligjencës Artificiale. Kot, të betohem, nuk di se ç’pati edhe ai Edmond Tupja kur tha se shqipja nesër do jetë gjuhë e vdekur si greqishtja e vjetër dhe latinishtja. Epo nuk e di Tupja se do lindë shqipja e re, si greqishtja e re dikur (në kohën e librave!) ka për të qenë aq e mirë, por ajo ende ka për të qenë e mitur! Të pranishmit mbeten të çuditur kur mësojnë se shqipja jonë e re po i mbush ditët dhe ecën përpara, duke u bërë edhe më imponuese, madje!…
Libri ul qepallat e tij blu, edhe pse disi të shkulura, me qerpikë të djegur, pulit sytë, ndërkohë që flet e flet pareshtur për fatin e tij e të sivëllezërve. Në qoftë se, librat, në moshën e tyre serioze, nuk kanë ditur të vënë një dyshkë mënjanë, duke punuar gjithmonë me klientë të përsosur, për të kënaqur dëshirat e tyre, sidomos edhe me ata shumë të rinj, kjo do të thotë se vërtet edhe po të vdesë tani, ia paska vlejtur që ka jetuar kaq shumë…
Fundja, librat janë kaq të çuditshëm sidomos për moshën që kanë! Apo jo?…
“ExLibris”