“Lideri global” humb toruan me median ndërkombëtare, paralajmëron BE-në për negociatat…

Kryeministri Rama, në një intervistë për agjencinë franceze AFP, është shprehur se paqartësia e BE-së ndaj angazhimit në rajon po e dëmton Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, mungesa e qartësisë do ketë pasoja në Ballkanin e brishtë. Madje ai shton se pikërisht Brukseli e ka fajin për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë në këto komente. Nëse do ishin liberalizuar vizat me Kosovën, mendon Rama, nuk do kishim vendosjen e tarifave ndaj mallrave serbe.

Rama rezervoi edhe një paralajmërim nëse BE vendos të nisë negociatat me Maqedoninë Veriore, duke lënë pas Shqipërinë. Sipas tij, kjo do ishte një “verbëri monumentale në këndvështrim strategjik”.

AFP shkruan se refreni i Brukselit për Shqipërinë është që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni. Por Rama thotë se fokusi tek krimi është ‘i fryrë’ dhe përdoret për të justifikuar vonesat në fillimin e negociatave.

“Krimi, krimi, krimi. Sigurisht që kemi një problem me krimin, por jo më shumë se disa vende që janë madje anëtare të Bashkimit Europian, tha Rama.

Ai përfundoi duke thënë se dëshira për të ardhmen brenda BE nuk është zvogëluar në Shqipëri.

Kujtojmë se, vetëm në javët e fundit ka patur një numër të lartë vrasjesh, ndërsa vetëm dje u grabitën rreth 10 milionë euro brenda pistës së aeroportit ndërkombëtar të Rinasit.

Exit mobile version