Lideri global thërret samitin global!

Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë! Lajmet e ditës së djeshme të institucioneve ndërkombëtare dhe shqiptare që monitorojnë zhvillimet demokratike dhe ekonomike raportuan rrokullisjen e Shqipërisë në ditët e saj më të zeza. Freedom House i Shteteve të Bashkuara të Amerikës thotë se Shqipëria ka shkuar 12 vite pas në një sërë treguesish që kanë të bëjnë me nivelin e korrupsionit, keqqeverisjen, kufizimin e lirisë së medias dhe mungesën e pavarësisë së drejtësisë. Ndërkaq Dhoma gjermane e Tregtisë thotë se biznesmenët gjermanë e shohin Shqipërinë si vendin e fundit në Europë ku duan të investojnë paratë e tyre, pasi korrupsioni qeveritar dhe taksat e larta kanë krijuar klimë negative për biznesin dhe ekonominë në tërësi.
Nga ana tjetër Kontrolli i Lartë i Shtetit, si për të konfirmuar gjetjet negative të amerikanëve dhe gjermanëve për Shqipërinë thotë se, vitin e shkuar mbi 1 miliard dollarë të taksapaguesve shqiptarë përfunduan në xhepat e kryeministrit Rama, ministrave, familjarëve dhe klientëve të tyre. Skandali i radhës i ditës së djeshme ishte një koncension tjetër i dhënë nga kryeministri Rama për klientët e tij prej më shumë se 8 milionë euro për mirëmbajtjen e një rrjeti dixhital, që ende nuk është ndërtuar dhe nuk është vënë në punë.
Lajmi tjetër është xhevahiri i liderit global që ka vendosur të mbajë samitin global. Ditën që amerikanët dhe gjermanët thonë me zë të lartë se Shqipëria po rrëshket në humnerë dhe nuk do të donin të investonin më në këtë vend, ditën kur zyrtarizohet se vjedhjet e qeveritarëve kanë kaluar 1 miliard euro, lideri global thotë se do të mbledhë në Shqipëri samitin global të shqiptarëve.
Këtë gjë mund ta bëjë vetëm një i droguar, një njeri që jeton jashtë realitetit, sikurse është kryeministri Edi Rama, i vetëshpallur lider global. Ai ka vendosur që të thërrasë në atdhe përfaqësuesit e diasporave, të krijuar nga shqiptarë që kanë emigruar masivisht nëpër Europë, SHBA, Kanada dhe Australi. Shumica e tyre janë emigrantë politikë, apo pasardhës të atyrë që e lanë Shqipërinë gjatë gjysëm shekullit të sundimit barbar të regjimit komunist. Eksodet masive kanë ndodhur në vitet ’90 – ’91, kur komunizmi po jepte shpirt dhe në tre vitet e fundit kur Shqipëria qeveriset nga neobllokmenët.
T’i ftosh këta shqiptarë në atdhe për të takuar Ramën është tepër cinike, bizarre dhe makabre. Eshtë njësoj sikur vrasësi të ftojë fëmijët dhe të afërmit e viktimave të tij për të festuar vdekjen. Përtej krimeve monstruoze të regjimit komunist që vrau, burgosi dhe internoi me qindra mijëra vetë, Edi Rama do të mbahet mend se vrau barbarisht shpresën e shqiptarëve. Janë 150 mijë shqiptarë që lanë vendin tre vitet e fundit dhe më shumë se 500 mijë të tjerë në kërkim të një mënyre për të ikur nga sytë këmbët.
Për çfarë do të flasë lideri global, për Shqipërinë që e ka zhytur në korrupsion, në mjerim në papunësi, në krim. Do të flasë për miliona e miliona euro që zhvat çdo ditë nga xhepat e bashkëkombasve të vet?! Do të flasë për parlamentin, qeverinë, policinë dhe administratën që i ka mbushur me vrasës, trafikantë dhe kriminelë?! Do të flasë për mijëra e mijëra biznese të huaja që po ikin me vrap nga ky vend i pashpresë?! Do të flasë për qindra mijëra shqiptarë që kanë humbur bizneset, vendet e punës dhe mundësinë për të shkolluar dhe ushqyer fëmijët e tyre?! Do të flasë për plantacionet e drogës që ka mbjellë nga veriu në jug dhe po krijon një ushtri tjetër kriminelësh dhe trafikantësh nën varësinë e ministrave, superdeputetëve dhe kryepolicëve?! Do të flasë për Shqipërinë që është kthyer sërish në një korridor tranzitimi të heroinës dhe kokainës dhe qendër e krimit të organizuar rajonal?!
Sigurisht, lideri global për samitin e tij global do të gjejë pjesëmarrës. Sigurisht 50 a 100 shqiptarë që trafikojnë dhe drejtojnë organizatat kriminale në kryeqytetet e mëdha të botës do të jenë kur t’i thërrasë ai në Tiranë për të bërë ankandin e hashashit, apo për të kryer pagesat dhe detyrimet ndaj liderit. Por, orgjitë e tij që i bën çdo javë nëpër botë, nuk ka pse të na i sjellë edhe në Tiranë. Mjaft i ka rënë në qafë këtij populli duke i paguar çarterat dhe qejfet e përjavshme me buxhetin e shtetit. Nëse do paguajmë edhe për miqtë e tij që do sjellë në Tiranë, të na thotë që të paktën atë ditë të mbyllemi nëpër shtëpi, pasi bandat historikisht zgjedhin Shqipërinë për të larë hesapet. Tek e fundit, edhe Selmanin do ta qajmë …!

Exit mobile version