Lidhjet e Habilajve me politikën, pritet rrëfimi i një oficeri italian

Prokuroria e Katanias zgjeron hetimet e dosjes “Habilaj-Tahiri”. Një oficer italian do të dëshmojë në ditët e ardhshme për lidhjet e bandës së Habilajve, me politikën dhe trafikun ndërkombëtar të drogës. Gazeta “Shekulli” shkruante dje se, oficeri italian, emri i të cili nuk publikohet për arsye të hetimeve, ka dhënë dëshmi tronditëse për mënyrën se si ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri instaloi mekanizmin e vënies në shërbim të kultivimit të kanabisit gjithë drejtuesit e lartë të policisë nëpër qarqet kryesore të vendit. Kjo dëshmi do t’i shtohet përgjimeve të Prokurorisë së Katanias dhe dëshmive të disa ish-oficerëve të policisë.
Nuk janë vetëm përgjimet e Katanias, dhe dëshmitë e disa ish-oficerëve të policisë, por së shpejti kundër tij dhe gjithë aparatit drejtues të Policisë së Shtetit shqiptar do të dëshmojnë edhe eksponentë të lartë të Policisë italiane. Tahiri, përveç gjurmëve të shumta që ka lënë prej katër vitesh nëpër vendet ku edhe është tregtuar droga e kultivuar dhe trafikuar nga Policia e Shtetit, do të përgjigjet edhe për lidhjet e tij me zyrtarët e policisë që janë pjesë e dosjes voluminoze prej më shumë se 2 mijë faqesh në Katania.
Po ashtu, nën statusin e penduar tashmë gjendet edhe një oficere karriere, e cila është mikeshë e kushëririt të Tahirit, kapos së grupit që ka mundur të hyjë në vendin e mafies italiane për të bërë trafik droge. Dosja e bujshme që po plotësohet çdo ditë me emra dhe të dhëna të reja nga skuadra e prokurorëve në Katania, mësohet se ka të listuar me dhjetëra shefa të mëdhenj policie, që kanë qenë në dispozicion të trafikut të drogës.
Ndërkohë, Tahirit të martën iu bllokua pasaporta dhe karta e identitetit nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe e ka të pamundur të dalë jashtë territorit të Shqipërisë. Mësohet se, Prokuroria ka edhe fakte të reja që janë nxjerrë nga telefonat e të arrestuarit Orest Sota, i cili transportonte nga Vlora para dhe patentat personale të Tahirit dhe të bashkëshortes së tij. Po ashtu, mësohet se tre aparatet telefonik të të riut kanë nxjerrë një sërë bisedash kompromentuese të tij me gruan e ish-ministrit.
Prokuroria dyshon se, 863 mijë eurot e gjetura në makinën e Orest Sotës në Elbasan janë të Tahirit. Alibia e ngritur nga shtetasi Orest Sota është një mënyrë për të mbuluar natyrën e vërtetë të origjinës së këtyre parave. Po ashtu, Prokuroria ka zbuluar edhe hyrje-daljet jashtë vendit që Saimir Tahiri ka me Orest Sotën, ku në shumicën e rasteve ka udhëtuar me makinat e familjes Sota dhe bizneseve të tyre. Në bazë të sistemin TIMS, Orest Sota në 24 shkurt të këtij viti ka dalë nga Murriqani me një makinë të Ministrisë së Brendshme me targa MB 279 AA.
Më datë 7 korrik 2017, Saimir Tahiri ka dalë nga Murriqani me një mjet që rezulton i regjistruar në emër të Ardit Sotës, vëllai i Orestit.
Është kthyer dy ditë më vonë, nga e njëjta pikë kufitare me një makinë që është në pronësi të firmës së babait të Orestit. Më 2 gusht 2016 ora 22:14, Tahiri ka dalë nga Porti i Durrësit me një makinë në emër të një personi nga Elbasani.
Në të njëjtën orë ka dalë dhe Orest Sota pa makinë. Janë kthyer të dy me datë 7 gusht 2016 dhe kanë diferencë në sistemin TIMS vetëm 3 minuta.

 

Exit mobile version