Pak kohë para se të dënohej në Itali për lidhje me organizatën mafioze Ndrangheta, Amedeo Matacena, një ish-deputet i partisë së Silvio Berlusconit i hodhi sytë drejt Shqipërisë për të investuar miliona euro në projekte biznesi. Në korrik 2014, Drejtoria e Hetimeve të Antimafias në Itali, DIA zbuloi në paradhomën e Matacenas projekte mbi një linjë hidrocentralesh të vogla në Gomsiqe të Pukës, për të cilat ish-politikani kontrovers kishte shfaqur interes që prej fillimit të vitit 2012. Projektet u zbuluan në kuadër të një hetimi që Antimafia po kryente ndaj ish-ministrit Claudio Skajola dhe bashkëshortes së Matacenës, Chiara Rizzo- kjo e fundit e akuzuar edhe se po shtynte përpara projektet e të shoqit, në përpjekje për të fshehur dhe pastruar pasuritë që rrezikonin të sekuestroheshin. Një prej këtyre investimeve ishte tentativa e parealizuar për të blerë prej koncesionarit shqiptar rreth 79 për qind të aksioneve të një linje hidrocentralesh të vogla që do të prodhonin 20 MW energji, në Gomsiqe të Pukës. “Rizzo dhe Matacena po çonin përpara një projekt për një hidrocentral në Shqipëri”, dëshmoi sekretarja e Matacenas për DIA, sipas hetimit të publikuar nga “Corriere della Calabria”. Plani i Matacenës për investime në projekte energjetike nuk është i vetmi rast ku bashkëpunëtorë apo segmente të mafias italiane e projektojnë Shqipërinë si një “lavatriçe” të parave të tyre të pista. Të paktën në 5 raste, autoritetet shqiptare kanë bërë arrestime apo sekuestrime për llogari të kolegëve italianë, duke goditur anëtarë të Sacra Corona Unitas dhe Ndrangheta-s dhe bllokuar pasuri të tyre, të investuara në Shqipëri. Gjurmët e këtij fenomeni shtrihen thellë në kohë, prej vitit 1998, kur një raport i Departamentit amerikan të Shtetit vinte në dukje se prokurorët shqiptarë ishin asokohe të shqetësuar për aktivitetin e bosëve të mafias italiane, të përfshirë në trafiqe në Shqipëri. Një dekadë më pas, Shërbimi Informativ Shtetëror raportonte se mafia italiane “kishte shënjestruar kumarin, bastet, kazinotë…”. Fabian Zhilla, studiues i çështjeve të sigurisë dhe autor i “Tërheqja fatale, krimi i huaj në Shqipëri” i referohet një raporti të SHISH të vitit 2010 për përqendrimin e krimit të organizuar në Shqipëri. “Sektorët më të rrezikuar nga rritja dhe përqendrimi i krimit të organizuar janë turizmi, pronat, ndërtimi dhe energjia alternative”, citon Zhilla në raportin e SHISH.
Pesha e krimit shqiptar
Interesi i mafias italiane për vendin e vogël përtej detit Adriatik u zgjua një dekadë pas njohjes dhe lidhjes së pakteve me grupet shqiptare që emigruan drejt Italisë në fillim të viteve ‘90. Sot shërbimi italian i Antidrogës vlerëson se shqiptarët kontrollojnë një pjesë të majme të tortës së trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. “BIRN” siguroi dosjet voluminoze të 10 hetimeve të përbashkëta italo-shqiptare, nga viti 2000 deri në vitin 2015, të cilat tregojnë sofistikimin e grupeve kriminale shqiptare dhe lidhjen e tyre të ngushtë me segmente të mafias, fillimisht në tokën italiane. Të dhëna të ngjashme mbi “lidhjet e ngushta” sugjerojnë edhe raportet e vitit 2015 të Antimafias italiane, DIA dhe shërbimit të Antidrogës, DSCA. “Grupet kriminale shqiptare dhe Ndrangheta gjenden bashkë thuajse në çdo operacion të madh të trafikimit të narkotikëve”, thotë raporti i DSCA. Suksesi i grupeve kriminale shqiptare- sipas Antidrogës italiane qëndron tek fleksibiliteti dhe aftësia e tyre për t’u infiltruar mes grupeve të tjera ndërkombëtare me peshë në trafikun e narkotikëve. Sipas tyre, shqiptarët janë sot për sot të vetmit që marrin përsipër operacione të ndërlikuara të shkarkimit të drogës nga konteinerët në portet e Europës së Veriut ku grupet mafioze nuk janë kaq të sofistikuara. Megjithatë, krimi i organizuar shqiptar nuk ka pasur të njëjtin reputacion dy dekada më parë në Itali, kohë që shënon edhe tranzicionin e tyre nga shfrytëzimi i prostitucionit në trafikun e lëndëve narkotike. “BIRN” analizoi dosjen hetimore të operacionit të koduar “Harem”, i cili zbuloi mënyrën sesi grupet kriminale shqiptare arritën t’u imponoheshin organizatave mafioze në Itali, duke vendosur lidhje “kontraktuale” me to. Hetimet për operacionin “Harem” nisën në vitin 2000 nga policia italiane, e cila bashkëpunoi edhe me autoritetet shqiptare të hetimit. Në vitin 2005, 80 persona të përfshirë në trafik armësh, droge, klandestinësh dhe shfrytëzim prostitucioni përfunduan në pranga. Hetimi zbuloi ekzistencën e një pakti mes “ndrinës Abbruzzese”, pjesë e Ndraghetas me bazë në provincës e Cosencas, që kishte bërë me shqiptarët e grupit “Harem”. Sipas dosjes, italianët blinin nga shqiptarët hashash dhe armë me çmime të favorshme dhe në këmbim u jepnin territor për shfrytëzimin e prostitucionit. Antonio Nicaso, ekspert mbi aktivitetin e Ndragheta dhe autor i një serie librash mbi mafian që prej fundit të viteve ‘80 i tha “BIRN” se aftësia e grupeve shqiptare për të siguruar armë pas trazirave të vitit 1997 u dha atyre mundësinë që të krijonin lidhje me grupe të mafias në zona të ndryshme të Italisë. “Grupet e Ndrangheta-s kishin nevojë për armë, shumë armë, për shkak të një gjendje gatishmërie për luftë me autoritet apo mes njëra-tjetrës. Kjo ishte arsyeja pse ata bashkëpunuan me grupet kriminale shqiptare në krye të herës”, tha Nicaso për “BIRN”. “Këta i furnizonin me armë dhe municion në këmbim të zonave të lira për shfrytëzim prostitucioni”, shtoi ai. Përveç depozitave me armë në Shqipëri, grupet kriminale shqiptare shfaqën edhe avantazhe të tjera për t’u bërë të dobishëm për mafian italiane. Adnan Xholi, drejtor i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme i tha “BIRN” se, për shkak të funksionit të tyre horizontal, grupet kriminale shqiptare nuk e patën problem të ndërronin “organizatë apo bos”, si dhe nuk u përfshinë në rivalitete për territore. “Bandat në Shqipëri nuk e kanë problem të jenë dy apo tri në të njëjtin qytet, pasi ecin me parimin se ka vend për të gjithë”, tha Xholi për “BIRN”. Xholi, i përfshirë edhe në hetimet për operacionin “Kanun” në vitin 2004 në Itali argumentoi megjithatë se grupet shqiptare nuk ruajnë të njëjtën tolerancë në negociatat e pazareve mes tyre apo në kontrollin e anëtarëve të organizatës. Hetimet që udhëhoqën realizimin e operacionit “Kanun”- sipas Xholit treguan se dëshmitë për dhunën ndaj vajzave të shfrytëzuara apo rivalëve në trafik ishin ekstreme. “Grupet shqiptare jashtë vendit janë të dhunshme; ata në fillim të qëllojnë dhe pastaj mund të negociojnë paqe, duke e vendosur rivalin në pozita inferiore”, thotë kreu i hetimit. E megjithatë, Xholi mendon se grupet shqiptare nuk janë shumë të zgjuara në komunikim, ndaj edhe bien shpejt në rrjetë. Në dosjen e vitit 2004 të operacionit “Kompas”, përgjimet mes një personazhi të identifikuar si Genti dhe një vajze të njohur si Irma i japin të drejtë gjykimit të prokurorit. “A i more ato? Atë librin në komo… atje.. Ule poshtë… Sill një fletë e gjysmë”, i thotë Genti vajzës.
“Strehë” për mafiozët
Ndryshe nga Italia ku shqiptarët kanë lidhje të ngushta me Ndrangheta-n, në Shqipëri grupi mafioz me prezencë më të madhe është Sacra Corona Unita (SCU), e njohur ndryshe edhe si mafia puljeze. Rasti i parë i regjistruar i këtij aktiviteti është arrestimi në korrik të 1998 i Xhuzepe Muolos (Giuseppe Muolo), i njohur si “Pinuçio” dhe i dënuar si anëtar i Sacra Corona Unitas, mafia puljeze, i cili ishte fshehur në Tiranë. Muolo u ekstradua pak muaj më vonë drejt Italisë, por prania e tij u dha një provë të re dyshimeve të prokurorëve shqiptarë dhe agjentëve të SHISH për shënjestrimin e Shqipërisë nga bosët e mafias italiane. Të vendosura gjeografikisht përballë Shqipërisë, grupet kriminale puljeze, SCU kanë sipas autoriteteve italiane edhe lidhjet më të forta me grupet e krimit nga Shqipëria. Influenca e tyre në Itali ka rënë prej goditjeve të njëpasnjëshme të autoriteteve italiane, megjithatë SCU vazhdon të kontrollojë një pjesë të tregut të marijuanës dhe kokainës në Itali, falë lidhjeve të kolauduara me krimin shqiptar. Krimi i organizuar puljez është plotësisht operativ në trafikun e narkotikëve që vijnë nga Shqipëria, kryesisht marijuanës ose si për rastin e kokainës përfitojnë nga lidhjet tashmë të kolauduara me organizatat kriminale shqiptare, thotë Antidroga italiane në raportin e 2015. Pas arrestimit të Muolos, policia shqiptare arrestoi në vitin 2002 tre anëtarë të tjerë të SCU, Donato di Tano, Francesko Sabatelli e Mimi Vinci. Të tre u arrestuan për trafik të narkotikëve, së bashku me disa bashkëpunëtorë shqiptarë në një lokal pranë plazhit në Durrës. Di Tano e kishte zhvendosur aty aktivitetin e tij të trafikut të drogës. Në lokalin e tij u kapën më shumë se 7 kg heroinë, ndërsa ai më vonë u bë i penduar i drejtësisë italiane. Tetë vjetë më vonë, në shtator të 2010-s Shqipëria arrestoi Albino Prudentinon, sërish shef i Sacra Corona Unitas dhe vuri në sekuestro tri biznese të tij, të lidhura kryesisht me bastet dhe kazinotë. Gjykata për Krimet e Rënda vendosi më pas konfiskimin e pjesëve të Prudentinos në dy kazino, një kompani të basteve sportive dhe rreth 31 milionë lekë kapital të zhvendosur në Shqipëri, që i përkisnin bosit të SCU. Ortaku i tij në biznes ishte një shqiptar i lidhur ngushtë me politikën e qendrës së djathtë, asokohe në pushtet. Prokurori Adnan Xholi shpjegon se kjo ka qenë skema e përdorur nga grupet shqiptare që emigruan në Itali dhe që u përqafua më pas nga segmente të mafias italiane që mbërritën në Shqipëri. “Është njësoj si dikush që shkon mik në shtëpinë e tjetrit”, shpjegon ai, “I duhet dikush ta prezantojë me mjedisin dhe kontaktet”. Të gjitha rastet e hetimeve të autoriteteve italiane për grupet mafioze italiane në Shqipëri kanë përfshirë edhe shqiptarë si ortakë të tyre. Shqipëria vetë nuk ka kryer hetime mbi praninë e bosëve apo ushtarëve të klaneve mafioze italiane në këtë anë të Adriatikut, megjithëse në më shumë se një rast lidhjet e personave të ndaluar në Shqipëri gjendeshin pranë politikës. Luciano Nocera- i penduar i Ndranghetës, dëshminë e të cilit “BIRN” e disponon duket madje i vënë në dijeni për lëvizjet politike në Tiranë. Përballë një prokuroreje italiane, ai rrëfen se, “një politikan shqiptar i kishte dërguar një makinë, e cila do të përdorej me gjasë në trafikun e drogës”. “…sepse më pas do të na jepte rrugët për të bërë që të vinte marijuana këtu, doktoreshë. Sepse në Shqipëri… Pastaj do të digjeshin të gjitha plantacionet”, i thotë ai prokurores që po e merrte në pyetje.
Kthimi i investimit
Domenico Papalia- përfaqësues në arrati i një tresheje ndrinash të lidhura me Ndrangheta-n ndoqi shembullin e ish-deputetit italian, Amedeo Matacena në projektimin e Shqipërisë si vendin e duhur për investimin e parave të tij. Ndryshe nga Matacena, ai e vuri në jetë planin e tij të biznesit duke investuar disa qindra mijë euro në një kompani të tregtisë së arit në Tiranë. Papalia i datëlindjes 1983 përmendet si pjesë e të ashtuquajturës “aleancë mes “ndrinave” “Papalia-Barbaro-Sergi” në raportet e Antimafias italiane. Megjithëse krerët e grupit janë prej vitesh në burg, ata shkaktojnë ende frikë dhe “askush nuk ua përmend emrat”. Një pjesë e tyre janë të dënuar përjetë për krime të rënda në Lombardi dhe zona të tjera të Italisë, por ata ende ndiqen prej policisë dhe dyshohet ushtrojnë aktivitet, përfshi trafikun e drogës në një sërë vendesh dhe kanë bazë në Australi e SHBA. Në Tiranë, Domenico Papalia u ngjit në majën e piramidës së një grupi biznesi, të quajtur Stargold Albania shpk dhe investoi disa qindra mijëra euro në një dyqan floriri. E sinjalizuar nga Interforza më 21 prill 2016, Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Tiranës vendosjen e sekuestros preventive mbi llogaritë bankare dhe asetet e Stargold Albania shpk, e dyshuar për lidhje me Ndrangheta dhe për pastrimin e parave të saj. Sipas raportit për sekuestrim të dorëzuar në gjykatë, problemet për Stargold filluan në tetor të 2015, kur Domenico Papalia, i shpallur në kërkim si pjesë e Ndrangheta-s u bë aksioner i kompanisë. “Sipas kontratës për shitjen e kapitalit dt. 20.10.2015 rezulton se ortak i ri i shoqërisë Stargold Albania shpk është bërë shtetasi italian Domenico Papalia, i cili ka blerë rreth 30% të kapitalit. Sipas informacionit policor rezulton se ky shtetas italian është pjesë e grupit kriminal Ndrangheta Itali”, thuhet në vendimin për caktimin e masës së sigurimit në Gjykatën e Tiranës.