Ligj antikushtetues, vetingu në duart e Ramës

Mazhoranca thyen konsensusin duke miratuar pa votat e opozitës ligjin më të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi, ligjin për Vettingun. Oerd Bylykbashi, përfaqësues i Partisë Demokratike në Komisionin për Reformën në Drejtësi deklaroi se, ky projektligj devijon rëndë nga Kushtetuta e miratur më 22 korrik të 2016. Sipas tij, projektligji i miratuar dje është antikushtetues dhe nuk janë marrë parasysh opinionet e Partisë Demokratike ku trajtoheshin problemet kushtetuese.
“Parlamenti i Shqipërisë, komisioni ad hoc kishte një projektligj ku opinioni i PD tregonte problemet kushtetuese. Por nuk u miratuan sugjerimet e ngritura nga ne. Ajo që është po aq e rëndë është se Partia Demokratike edhe pse propozoi një numër të madh amendamentesh për një pjesë të ligjit, u hodhën poshtë pa asnjë lloj argumenti. Amendamentet e propozuara kishin qëllim që ky projektligj kaq i rëndësishëm të kthehej në binarët e Kushtetutës dhe ndryshimeve të miratuara më 22 korrik. Pa ardhur në këto binarë ky projektligj është antikushtetues. Ne kemi shprehur votën tonë kundër për një seri nenesh. Ky ligj devijon rëndë nga Kushtetuta e miratuar më 22 korrik”, bëri të ditur Bylykbashi.
Bylykbashi shtoi se, Partia Demokratike do të ndërmarrë hapa të tjerë legjislativë dhe kushtetues për të garantuar që ligji i Vettingut të mos shmanget nga vullneti konsensual i 22 korrikut. Bylykbashi theksoi se miratimi i projektligjit për Vettingun ishte antikushtetues. Deputeti i opozitës pohoi se ligji devijon nga Kushtetua e miratuar më 22 korrik. “PD tregoi problemet e rënda kushtetuese. Ky opinion i PD nuk u reflektua në asnjë moment në projektligjin e miratuar sot në Komision. Nuk u miratuan asnjë sugjerim i rekomanduar nga ne. Ajo që është e rëndë është se PD edhe pse propozoi një numër të madh amendamentesh, këto u hodhën poshtë nga Komisioni. Amendamentet e propozuara kishin një qëllim të vetëm: që ky pr.ligj të kthehet në binarët e amendamenteve të Kushtetutës të votuar më 22 korrik. Ky pr.ligj është antikushtetues dhe nuk do t’i qëndrojë dot testit. Ne kemi shprehur votën tonë kundër për një seri nenesh. Ky ligj sot devijon rëndë nga Kushtetuta e miratuar më 22 korrik. Kjo sot është kambanë e fortë për të treguar se si kjo mazhorancë e udhëhequr nga Rama voton”, përfundoi Bylykbashi.
PD dorëzoi një draft me disa amendamente, të cilat synonin të sillnin në rendin kushtetues ligjin për Vettingun. Në draftin e paraqitur nga PD për ligjin për Vettingun vihet re se kërkohet që kontrolli i të ardhurave të bëhet nga ILDKPKI, ndryshe nga sa propozohet në draftin e EURALIUS dhe OPDAT, ku theksohet se kontrolli i të ardhurave do të kryhet nga Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave. Në nenin 6, në amendamentet e PD propozohen afate sa i përket vlerësimit të figurës dhe anës profesionale të anëtarëve të sistemit të drejtësisë, ndërsa EURALIUS nuk ka parashikuar afate për këtë proces.
Një tjetër ndryshim i propozuar në mendimet e PD-së është edhe neni 6, i parashtruar në amendamentin numër 9 të draftit të PD-së. Sipas këtij propozimi personat që do të jenë në Komisionin e Vlerësimit nuk duhet të jenë më shumë se 60 vjeç, ndërsa në draftin e ekspertëve të huaj parashikohet që anëtarët të mos jenë më tepër se 65 vjeç. Gjithashtu PD kërkon caktimin e afateve për presidentin në shqyrtimin e kandidaturave për anëtarë të Vettingut. Gjithashtu PD propozon heqjen e nenit 25 për rrogat e anëtarëve dhe keshilltarëve të Vettingut. Në amendamentet e PD-së mbetet i paprekur roli i ndërkombëtarëve në verifikimin e kandidatëve për anëtarë të sistemit të drejtësisë.

Seanca e jashtëzakonshme më 30 gusht
Pasditen e djeshme është mbledhur në Kryesinë e Kuvendit Konferenca e Kryetarëve, ku është vendosur që seanca plenare për votimin e ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ose siç njihet ndryshe Vettingu, të mbahet më 30 gusht, në orën 17.00. Dje, Komisioni i Reformës së Drejtësisë ka miratuar në tërësi ligjin që shoqëron paketën e ndryshimeve kushtetuese pa konsensusin e opozitës.

Exit mobile version