Prokuroria dhe pesë shërbime të huaja kanë dosjen Shullazi

Deklarata e Berishës në Parlament për të ligjin e armëve që do tu mundësojë qytetarëve vetmbrojtje trembi një pjesë të mirë të qeverisë Rama dhe deputetëve të tij. Berisha solli në vëmendje praktikën e SHBA, ku qytetarëve u lejohet me ligj armë mbajtja për arsye vetmbrojtje.
“Për të gjitha këto ka një shtet kudo, përveç Shqipërisë që ka një bandë, një bandë kudo e penetruar. Atëherë, vendi më i madh i lirisë në botë, SHBA-të kanë një praktikë të tillë që u lejojnë armë qytetarëve. Unë kam kohë që e mendoj këtë punë, kur shoh mbi 40 roje, që i ka aty Edi Rama në dosje, të Shullazit të pajisur me të gjitha llojet e armëve për të vrarë, për të vjedhur, për të grabitur, për të plaçkitur, atëherë çdo qytetar i ndershëm duhet të ketë të drejtë ligjore, të ketë njëlloj si një vend tjetër i madh i lirë, armën për t’u mbrojtur. Këtyre u kërcejnë kaq keq se kjo jua cof morrat bandave të tyre dhe banditëve në pushtet” tha Berisha.

– Ju ja keni hequr armët deputetëve…
Jo nuk i kemi hequr armët deputetëve, absolutisht. E theksoj, me ligj, jam plotësisht i mendimit që, përderisa këtu të zhduken bandat njerëzit duhet të kenë të drejtë të mbrohen.

– Me këtë po kujtoni ‘97-tën…
Zonjë, ajo është një histori krejt tjetër. Ai ishte një rebelim komunist. Armët me të cilat u armatosën fallangat e kuqe erdhën nga jashtë, kurse shqiptarët dhe kosovarët u armatosën me armët e tyre.
Kurse kjo këtu ka të bëjë deri me rivendosjen e rendit. Ligji amerikan është ligji më i drejtë dhe unë do ta shoh këtë me vëmendjen më të madhe. Sepse unë nuk mund të konceptoj që një bandë me 40 vetë në mes të Tiranës të ushtrojë të gjitha llojet e dhunës. A e dini ju se Saje Qorri dhe Edvin Shullazi e kanë shpërblyer Milin e Partisë, në kundërshtim flagrant me ligjin, për dënimin që ka bërë, pa e çuar në Gjykatë të Apelit. Ligji detyron institucionin, që për çdo gjyq të humbur në Shkallë të Parë, detyrimisht në emër të mbrojtjes së interesave të taksapaguesve të vet, të shkojë në Shkallë të Dytë. Kurse Mili i Partisë bën përjashtim, nuk shkoi në Shkallë të Dytë, por Edvini urdhëroi ministrin e Financave t’ja jepje paratë një më një për krimet që kishte kryer. Pra, kemi të bëjmë me një organizatë kriminale. Këtu ju shihni që po diskutohet gjerësisht se policia ka denoncuar, ndërsa Prokuroria s’ka reaguar. Si mund të reagojë Prokuroria, kur çdo njeri që denonconte në polici shkonte më parë tek Shullazi dhe banda e tij sesa në Prokurori. Çfarë do të bëjë Prokuroria? A e dini ju sa zyrtarë të lartë janë në dosje të regjistruar? Shkoni shihni pak ortakët e Shullazit në dosjen e Shullazit. Që të gjithë politikanë me peshë, drejtora, ministra etj.

– Ju në këtë moment po i riktheheni çështjes së ligjit, por ju në fjalën tuaj nuk përmendët ligjin në fillim… A po e kuptoni që thirrja juaj mund të shërbejë për të hapur një luftë civile në vend, ligjin e përmendët në fund?
Tani po i lejon vetes diçka joprofesionale. Më vjen keq, unë dua të të respektoj, por nuk po më lë. Se si e ndërtoj unë fjalinë është puna ime. A je avokatja e Shullazit apo e një përdhunuesi? Nëse je gazetare ti nuk mund të më thuash mua se ku duhet ta vë atë fjalë, në fillim apo në fund. Nuk e dikton dot atë, as unë ty e as ti mua. Natyrisht unë nuk i heq asnjë presje asaj që kam thënë dhe atë po e them prapë. Përse po më thua se po e ndryshoj? Ku e gjen ti këtë të drejtë morale? Nuk shkon kjo, për ty se për mua s’ka problem…

– Ju bëtë thirrje për armatosjen e qytetarëve dhe më pas thatë të bëjmë ligjin. Në fakt kjo për qytetarët merret si një thirrje për t’u armatosur.
Jo, kjo merret nga shullazët e qeverisë, ndërsa qytetarët e kanë shumë të qartë këtë. E kanë shumë të qartë se çfarë do të thotë kjo, kurse shullazët e qeverisë e kanë tmerr këtë. Mos u bëni zëdhënës të shullazëve.

– Pse do të ndërmerrni një iniciativë ligjore për t’u depozituar në Kuvend referuar deklaratës që bëtë sot?
Fola, kjo kërkon që të merret një nismë ligjore, por, a do e ndërmarrë apo jo, kjo është për t’u parë. Asaj që thashë asnjë presje nuk i heq. Armë, në këto kushte kur nuk ka rend, qetësi, siguri, duhet të ketë çdo njeri, duhet të ketë çdo njeri për të siguruar jetën e tij, të fëmijëve të tij, të pronës së tij. Mazhoranca është një organizatë kriminale. Ajo qeveri që bashkëpunon me Shullazin është një organizatë e mirëfilltë kriminale, në kuptimin absolut të fjalës.

– Sa do ta mbështesni ju ngritjen e komisionit hetimor për këtë ngjarje, që propozoi ministri i Brendshëm?
Së pari, a e dëgjove ti ministrin Saje Qorri të thoshte një fjalë të vetme për Gjutën, Brukën, për arrestimin e shtatë pjesëtarëve nga një familje e vetme? A e dëgjove të thotë një fjalë të vetme për ndryshimin e komunikatave të qeverisë për ngjarjen e Kasharit dhe atë të Rrugës së “Kavajës”, unë e akuzova direkt. A përmendi ndonjë gjë ai apo vetëm u hodh si histerik meqë përmenda armët?
Përsa i përket komisionit, absolutisht po, madje edhe më thellë se komisioni dhe absolutisht mos mendo se unë, personalisht flas, nuk po punoj në shumë drejtime për këtë punë. Unë jam i vendosur të bëj transparencën. Po kur unë, nga burime policore direkte, marr dosje në të cilat më faktohet se Shullazi është lejuar me mbi 40 e ca banditë me të gjitha llojet e armëve dhe snajpera, me të gjitha makinat e blinduara, atëherë kjo qeveri është një organizatë kriminale. Këta që bërtasin sot dhe mbrojnë Shullazin, këta janë ushtarë të Aldo Bares, të “Hakmarrjes për Drejtësi”, të gjithë atyre bandave që u arrestuan një për një.
Pra, komisioni hetimor është plotësisht i mundshëm, mendoj unë. Por komisioni hetimor maksimumi që mund të hetojë në këtë rast është ligjshmëria. Dokumentet s’i ka ministri, i ka tjetër kush, i Prokuroria ato dhe 5 shërbimeve të huaja.

– Si e shini rolin e prokurorit në këtë proces?
Roli i prokurorit dhe i prokurorëve është për t’u përshëndetur, morën përsipër për të bërë atë që s’e bënë oficerët e Tahirit. Nuk donin ta arrestonin. Në këtë mënyrë, mendoj unë, duhet një mendim eksperti. Po të ishte se kemi të bëjmë vetëm me ligjin atëherë mund të bëhej komisioni, por komision për probleme të dokumenteve të dosjeve, që janë në hetim nga Prokuroria dhe gjykata, nuk mund ta bëjmë. Kur të mbarojë hetimi absolutisht po, mund ta bëjmë.

– A do ta pengojë kjo situatë Reformën në Drejtësi?
Reformën në Drejtësi e pengon Viktor Ponta dhe Edi Rama. Ponta i tha Edit se po e bërë reformën përgatit një vend si ky që më kanë bërë mua këtu (burgun). Ministri përgënjeshtroi Kryeministrin. Edi Rama urdhëroi Tahirin të thotë se Kryeministri gënjeu. I kuptoni vetë ju se ku janë gjithë problemet e tyre.

– Mazhoranca ka depozituar në Kuvend kërkesën… Jeni i gatshëm të shkoni në Prokurori lidhur për këtë deklaratë?
Mazhoranca e krimit është e lirë të depozitojë çdo lloj akuze dhe kërkese. Mos harroni që rreth 16-17 vjet më parë, mazhoranca që kish dalë nga rebelimi komunist, më hoqi imunitetin me akuzën për krime kundër njerëzimit 8 muaj përpara se Haga të akuzonte Sllobodanin. Këta janë vetëm frikacakë e burracakë, forca e tyre janë bandat, forca jonë qëndron tek ligji dhe tek e drejta.

Krimi po penetron në çdo qelizë të vendit

Niveli i lartë i krimit në vend dhe cenimi serioz i sigurisë së qytetarëve. Vendi ndodhet nën pushtetin e bandave. Berisha denoncoi në Parlament bashkëpunimin kriminal të qeverisë me bandat.
“Përsa i përket fjalës time edhe një herë theksoj këtu se, në mënyrë absolute nuk i heq asnjë presje. Pse? Sepse sot rendi dhe siguria e qytetarëve është më e kërcënuar se kurrë në memorien time. Ka patur krim në periudha të caktuara në këtë vend, por s’ka patur kurrë bashkëpunim qeveritar të shkallës së tillë siç ka sot. Ju e dëgjuat Saje Qorrin. Foli një orë me histeri, por nuk tha një fjalë të vetme për eksplozivin që ka vendosur tek i ati i tij kontrabandist për të arrestuar ata që quan kundërshtarë. Nuk tha një fjalë të vetme. Unë kam me dhjetëra fotografi dhe ju tregova njërën me ushtarët e Shullazit me të gjitha llojet e armatimeve, të cilat i kam marrë nga Policia e Shtetit, por të gjitha ato ai i ka me autorizimin e Saje Qorrit. Banda e Edvin Shullazit ka të paktën 4 makina të blinduara të prodhimit të fundit, ndërkohë që ligji i vendit makinat e blinduara i kodifikon në mënyrë të caktuar, se kush ka të drejtë të mbajë. U çudita pak me reagimin, mirë Vasilikën e kuptoj se ka ndjeshmëri më të madhe, por ju të tjerët, se jeni dhe burra e nuk ju shkon.
Ka një vend në botë që ka armë dhe ky vend është SHBA. Pse ky vend nuk i ka hequr dot? Dikush thotë për arsye se lobi i armëve është shumë i fuqishëm dhe nuk lejon bllokimin e tregut të armëve. Në fakt ka një argument tjetër pak më të thellë, për ju që kërcyet në këtë mënyrë. Ka një statistikë shumë kokëfortë, e cila tregon se në shtetet, të cilat i kanë ndaluar armët krimi është shumë më i lartë. Dhe ky është shkaku më kryesor. Atëherë, çfarë të bëjmë? Mora vesh se keni bërë një kërkesë dhe ju them se më keni nderuar shumë dhe ftoj Byronë që menjëherë ta çojë në Prokurori atë kërkesë. Në vitin ‘98 më akuzuat për krime kundër njerëzimit, 8 muaj para se Millosheviçi të ishte i akuzuar nga Haga, ju hyri frika në palcë nga Sali Berisha. Dhe tani, sapo përmenda fjalën armë u shkritë nga frika, u hyri frika deri në palcë. Po pse e keni këtë frikë ju? Sepse keni bashkëpunim kriminal me banda, se ministri del këtu e flet 1 orë dhe nuk thotë se kush ndryshoi komunikatat e policisë për Qafë-Kasharin. A e dini që Shullazin e shpërblyet ju? Ja dhatë një më një ditët e burgut që bëri në periudhën time, duke shkelur me të dy këmbët ligjin. Ja dhatë me vendim të Shkallës së Parë, sepse ligji kërkon që dëmshpërblimi jepet me vendim të formës së prerë. Dhe çdo njeri ka përfituar shpërblimet kur ka marrë vendimin e formës së prerë, kurse Mili i Partisë s’kishte nevojë për vendim të formës së prerë sepse kishte Shullazin e partisë në krye, se kishte Shullazin tjetër në krye të rendit. Po kush e çoi te rektori? Asnjë tjetër përveç Ramës, i cili nxiu zgjedhjet në universitete me damkën e krimit. A e dini se në Universitetin e Sporteve ka dalë dekani me 9 vota në një kohë kur 30 e ca të tjera i ka nxjerrë vetë të pavlefshme. Sepse Edi dhe Olsi donin që një basketbollist, ta vinin me çdo kusht dekan, me 9 vota.  Armët kanë lidhje sepse krimi po penetron në çdo qelizë të këtij vendi dhe armët janë e vetmja mënyrë për t’i kërcënuar bandat, për ta ditur që në çdo tentativë që bëjnë marrin përgjigje kushtetuese të merituar”.

Exit mobile version