Ligj për ndërhyrje të jashtëzakonshme në banka

Në Komisionin e Ekonomisë u miratua Ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”. Ai u hartua për të garantuar ndërhyrjen në banka në rast se do të ketë ngjarje të jashtëzakonshme. Me ndryshime të vogla, Komisioni kaloi 89 nenet pa shumë diskutime. Ligji pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Ai vendos në dispozicion të Autoritetit Mbikëqyrës, Bankës së Shqipërisë, një tërësi instrumentesh ligjore për të ndërhyrë në një fazë që të jetë mjaftueshëm e hershme dhe e shpejtë në rastin e një banke në pozita jo të shëndosha ose në gjendje kolapsi, në mënyrë që të sigurohet vijueshmëria e funksioneve financiare dhe ekonomike me rëndësi kritike të bankës, gjithmonë duke minimizuar efektin që ka kolapsi i saj tek ekonomia dhe sistemi financiar.
Këto instrumente sigurojnë që të parët që i mbajnë kostot për një kolaps të tillë të jenë aksionerët dhe pas tyre kreditorët, me kusht që asnjë kreditor të mos mbartë humbje më të mëdha se humbjet që do të pësonte nëse banka do të ishte likuiduar sipas procedurës së zakonshme të likuidimit të detyruar në zbatim të Ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.
Për këtë, ligji parashikon krijimin e një fondi me kontribute kryesisht të vetë bankave, i cili synohet të konsolidohet në disa vjet dhe në rast të një rreziku në përputhje me kushtet e përcaktuara në ligj të përdoret “për të shpëtuar” një apo disa banka. Ky fond do të administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave.

Exit mobile version