Është miratuar sot në Këshillin e Ministrave drafti që synon të formalizojë dhe rregullojë mediat online, e njohur ndryshe edhe si “paketa anti-shpifje”.
Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, e cila tha në një deklaratë për media se kjo paketë nuk e cënon fjalën e lirë.
Opozita e ka quajtur këtë paketë si tentativë e qeverisë Rama për të instaluar censurën në mediat online.
Sipas kësaj pakete, portalet online duhet të regjistrohen si person juridik ose fizik të tatueshëm në regjistrin e ofruesve të publikimeve elektronike dhe ofron shërbime të publikimit elektronik.
Çdo portal është i detyruar që të sigurojë që publikimet të shfaqen në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive. Portalet duhet të marrin masa për mospërdorimin e publikimeve për qëllime kriminale. Gjithashtu, publikimet nuk duhet të cenojnë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut.
Në rast të shkeljes së ndonjë nga pikave që parashikon kjo paketë, pronarët e portaleve do të dënohen me gjobë deri në mbylljen e portalit.
Më konkretisht:
Paketa Antishpifje konsiston në ndërhyrjet ligjore në ligjin “Për mediat audiovizive, ligjin “Për komunikimet elektronike, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” si edhe në VKM-në për masat e mbrojtjes së fëmijëve nga aksesi në përmbajtje të paligjshme në internet.
Këto ndërhyrje sigurojnë:
1.procedura të shpejta administrative mbi trajtimin e ankesave për programet e publikuara nga Ofruesit e Shërbimit të Publikimeve Elektronike reagim të shpejtë të institucioneve publike në rast të konstatimit të cënimit të të drejtave të indidëve, duke parashikuar një procedurë të qartë me hapa konkretë për trajtimin e ankesave.
3.Krijimin e një regjistri që administrohet nga AKEP ku regjistrohen Ofruesit e Shërbimit të Publikimeve Elektronike, të pajisur me numër të regjistrimit të personit të tatueshëm, ose të regjistruar në regjistrat tregtarë.
3.Ofruesit e shërbimeve mediatike do të monitorohen nga AMA.
Paketa antishpifje në asnjë dispozitë të saj, nuk cenon lirinë e shprehjes dhe pluralizmin e tregut por synon përcaktimin e disa standardeve etike në mënyrë që të respektohet dinjiteti dhe të drejtat themelore të njeriut.
Së fundmi, ju informoj, se kjo paketë është konsultuar jo vetëm me aktorë vendas, grupe interesi dhe gazetarë, por edhe partnerë ndërkombëtarë si OSBE dhe Bashkimi Evropian.