Ligji i buxhetit duhet të trajtohet në një sesion të posaçëm parlamentar

Nga Ervis Iljazaj

Partia Demokratike ka braktisur mosbindjen civile dhe është kthyer në parlament. Kjo nuk është hera e parë që PD nis një strategji politike dhe e lë atë në mes. Në fakt, mund të ketë dy mundësi se përse PD është kthyer në parlament. E para, mund të jetë dështimi i mosbindjes civile, duke qenë dhe populli nuk e ndoqi këtë rrugë, dhe diskutimet për buxhetin shërbejnë si një alibi për ta braktisur atë strategji.
E dyta, ndonjë marrëveshje e radhës me mazhorancën, ashtu sikurse ndodhi dhe herën e parë ku opozita pas një periudhe protestash në parlament votoi disa ligje në bashkëpunim me mazhorancën.

Por përtej arsyes se përsëri Partia Demokratike vendosi t’i rikthehej debatit parlamentar, është lajm i mirë fakti që gjendet aty për të diskutuar ligjin e buxhetit. Ligji i buxhetit jo vetëm kërkon që të gjitha forcat politike të marrin pjesë në debat, por kërkon dhe procedurat më të konsoliduara për miratimin e tij. Procedurat nuk mund të jenë pak a shumë si një procedurë e zakonshme sikundër aprovohen ligjet e tjera.

Ndërkohë ky ligj, që ka të bëjë me paratë tona duhet të konceptohet dhe konsiderohet si ligj i jashtëzakonshëm. Nuk ka ligj më të rëndësishëm, mbase pas atij zgjedhor, se sa ligji i buxhetit për një qeveri.

Me anë të tij, shpenzohen paratë e qytetarëve, paraqitet vizioni i një qeverie apo paraqiten alternativat e qeverisjes të një opozite. Në këtë kuptim, ky ligj meriton të gjithë vëmendjen procedurale dhe politike të duhur. Gjë e cila, deri më tani nuk ka ndodhur.

Shumë nga vendet demokratike, momentin e aprovimit të ligjit buxhetor e konsiderojnë një sesion të posaçëm parlamentar, i cili zgjat me muaj të tërë. Në këtë sesion ka procedura parlamentare të veçanta dhe jo si një proces ligjor i zakonshëm, ashtu sikurse ndodh në Parlamentin e Shqipërisë.

Kështu që, momenti i aprovimit të këtij ligji nuk mund të trajtohet si një moment çfarëdo parlamentar. Por, si një moment kyç i gjithë politikës, rreth të cilit duhet të pasqyrohen të gjitha alternativat politike dhe ekonomike të vendit.

Kështu siç e trajtojmë sot këtë ligj, nuk është aspak në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe politik të vendit.
Edhe pse ligji i buxheti është kompetencë ekskluzive e qeverisë, nuk do të thotë aspak që ai të jetë një moment përjashtues ndaj grupeve të interesit apo palëve të tjera politike.

Por, duhet të shërbejë si një debat gjithëpërfshirës nëpërmjet procedurave që e mundësojnë një gjë të tillë.
Kudo në vendet demokratike, sa herë që afrohet momenti i ligjit të buxhetit të shtetit, shërben si një moment publik për të debatuar, diskutuar dhe rrahur ide apo ideologji të ndryshme rreth tij. Sepse, nuk ka moment më të mirë për të shpalosur çdo vizon të mundshëm për qeverisjen dhe garën e këtyre vizioneve, që mundëson ligji i buxhetit të shtetit. Edhe pse në thelb duket një ligj teknik, që thjesht vendos se si do të shpenzohet paratë e qytetarëve, në fakt, është një ligj i cili ka funksion thelbësor për një shoqëri demokratike.

Dhe për të arritur të gjithë rëndësinë dhe funksionet që ka, duhet me patjetër të rikonceptohet si një moment i tillë nëpërmjet procedurave që e mundësojnë këtë.

Për fat të keq, në Shqipëri, ligji i buxhetit vazhdon ende të konceptohet thjesht si ca para të cilat duhen shpenzuar aty-këtu, në mënyrë matematike dhe kaq. Ndërkohë që ligji i buxhetit është më shumë se kaq. Është ligji më politik që ekziston me gjithë kuptimin që ka kjo fjalë./Liberale.al

Exit mobile version