Ligji i ri, BE refuzon modelin Rama-Meloni për refugjatët!

Legjislacioni i ardhshëm për kthimin e emigrantëve nga Bashkimi Evropian në vendin e tyre të origjinës, nuk do të përfshijë të ashtuquajturat “pika kthimi” jashtë territorit të BE-së, tha një burim i njohur me projektligjin për “Euronews”.

Legjislacioni, i cili do të prezantohet të martën e ardhshme në Strasburg gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian, synon të krijojë rregulla të harmonizuara në të gjithë bllokun mbi procedurat për kthimin e shtetasve joevropianë në vendet e tyre të origjinës kur kërkesat e tyre për azil refuzohen.

Sipas “Euronews”, plani ishte që të ligjërohej modeli shqiptar. Pra të lejohej ngritja e qendrave në vendet jashtë bllokut, por projekti ka dështuar.

Disa shtete anëtare, duke përfshirë Austrinë, Bullgarinë, Republikën Çeke, Danimarkën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Letoninë dhe Maltën, e mbështetën masën.

Shumë organizata të shoqërisë civile i shohin qendrat e kthimit si shumë të diskutueshme, duke theksuar se këto qendra mund të çojnë në ndalime të pafundme dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Ligji aktual i BE-së i ndalon autoritetet të dërgojnë emigrantë kundër dëshirës së tyre në vendet me të cilat ata nuk kanë lidhje.

Disa përpjekje për të krijuar modele të ngjashme – si ai i Italisë në Shqipëri, për shembull – janë kritikuar ashpër si çnjerëzore dhe joefektive.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ra dakord me homologun e saj shqiptar Edi Rama për të dërguar 36,000 emigrantë të parregullt në vendin e Ballkanit Perëndimor në pritje të përgjigjes përfundimtare të kërkesës për azil.

Megjithatë, projekti tani për tani është bllokuar, pasi gjykata italiane kanë detyruar kthimin e emigrantëve nga Shqipëria në Itali.

Kjo nuk është hera e parë që BE-ja tenton të prezantojë legjislacionin për kthimet e emigrnatëve. Gjatë mandatit të fundit legjislativ, blloku miratoi një paketë gjithëpërfshirëse ligjesh për të rregulluar menaxhimin e migracionit në BE, të quajtur Pakti për Migracionin dhe Azilin.

Ligji përfundoi duke mos u miratuar për shkak të kundërshtimit të fortë nga Parlamenti Evropian për të vazhduar. /Përshtatur nga “Euronews.com

Artikulli paraprakSi pastrohen paratë e drogës?!
Artikulli tjetërShqiptarët duhet ta tejkalojnë polarizimin e vjetër Rama-Berisha më 11 Maj