Ligji i ri, shtetësia shqiptare “shitet” për 2 milionë euro

Ligji për punësimin e të huajve do t’u nënshtrohet sërish ndryshimeve. Shtrëngohen kriteret për të huajt që do të ndërmarrin investime strategjike, por dhe që do të duan të kenë leje të përhershme qëndrimi në Shqipëri. Kushti? 2 mln euro investim, 100 vende pune për 1 vit. Lehtësi për të punësuarit me përkatësi etnike shqiptare. Pajisja me leje pune do të bëhet pa pagesë. I miratuar rreth tre vjet më parë, Ligji “Për të huajt” do t’i nënshtrohet sërish ndryshimeve. Arsyeja ka të bëjë me problemet që janë hasur në zbatimin në praktikë, ku janë krijuar më shumë hapësira për keqinterpretime. Në Kuvend është paraqitur drafti me ndryshimet ligjore që synojnë përmirësimin e regjimit të trajtimit të të huajve, përfshirë ata me përkatësi etnike shqiptare, kategorisë së të huajve të punësuar apo vetëpunësuar. Aspektet që priten të preken nga këto ndryshime kanë të bëjnë me politikat e vizave, në fushën e punësimit dhe në atë të përafrimit me direktivat europiane. Një pjesë e rëndësishme e këtij projektligji ka të bëjë me trajtimin e të huajve që do të ndërmarrin investime të rëndësishme në Shqipëri (ndryshime që janë diktuar edhe për shkak të ligjit të ri të investimeve strategjike). Rastet e veçanta janë ato që bëjnë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm që kërkon 5 vjet qëndrim të ligjshëm, në mënyrë që i huaji të kualifikohet për leje të përhershme qëndrimi. Janë forcuar kërkesat për përfitimin e këtij statusi si në vlerën e investimit (nga 1 milion në 2 milionë euro), ashtu dhe në sasinë e vendeve të punës të hapura nga ky investim (nga 10 në 100). Ndërsa nga trajtimi më preferencial i të punësuarve që do të vijnë nga etnitë shqiptare, ku parashikohet përjashtimi nga pagesa e lejes së qëndrimit, buxheti do të humbasë rreth 1.7 milionë lekë. Juristët vlerësojnë ndryshimet që po i bëhen Ligjit “Për të huajt” dhe shpjegojnë se çfarë efektesh do të japin.  Projektligji është shtrëngues në përcaktimin e kritereve të reja, për të përfituar lejen e përhershme të qëndrimit për raste të veçanta për investitorin, për shkak se nëse do të miratohet, shtetasit të huaj do t’i duhet të investojë jo më pak se 2 milionë euro (aktualisht dispozita përcakton një shumë mbi 1 milion euro) dhe të dokumentojë se ka krijuar mbi 100 vende pune, minimalisht për një periudhë 1-vjeçare, (aktualisht dispozita përcakton punësim të mbi 10 shtetasve shqiptarë, për një periudhë së paku 1-vjeçare).

Ja çfarë ndryshon nga ligji

Projektligji për “Të huajt” pritet të sjellë një sërë elementesh të reja, që do të saktësojnë trajtimin e rasteve të atyre që do të vijnë të punojnë në Shqipëri. Ja cilat janë pikat që ndryshojnë:
– Janë krijuar lehtësi në lidhje me transferimet brenda korporatave, për kategoritë menaxherë, specialistë dhe praktikantë, duke krijuar kushte transparente dhe të harmonizuara të pranimit, qëndrimit dhe të punës.
– Në kuadër të qëndrimit dhe punësimit të ofruesve të shërbimeve me kontratë, janë bërë ndryshime në strukturën, kriteret dhe kategoritë e parashikuara në ligj, ku përcaktohet lëshimi i lejes së punës për “shërbime kontraktuese”. Në këtë drejtim janë përcaktuar qartë kategoritë e të huajve, të cilët përfitojnë këtë tip leje pune.
– Gjithashtu, një nga risitë që sjell ky projektligj, është kategoria e profesionistëve të pavarur, të cilët mund të ofrojnë shërbime në vendin tonë.
– Hyrja e përkohshme dhe qëndrimi i tyre në shërbim të palës së interesuar, do të jetë për një periudhë totale, jo më shumë se dymbëdhjetë muaj, ose për kohëzgjatjen e kontratës, cilado qoftë ajo, por gjithmonë kur qëndrimi nuk e kalon periudhën 12-mujore.
– Punonjësi stinor, për aktivitetin që ushtrohet për profesione të rregulluara, duhet të plotësojë kushtet e përcaktuara në përputhje me të drejtën kombëtare të ushtrimit të profesioneve të rregulluara.
– Për kategorinë “punonjës me kualifikim të lartë”, kontrata fillestare e punës, e cila është detyrim për pajisjen me këtë leje pune, do të kërkohet vetëm për 1 vit për herë të parë.
– Ka përmirësime në lidhje me kategoritë e të huajve, të cilët pajisen me çertifikatë regjistrimi në punë dhe për ato kategori, të cilat pajisen me leje pune të tipit C, për raste të veçanta, si vizitorët e biznesit dhe ofruesit e shërbimeve të biznesit.
– Gjithashtu, ka ndryshime në lidhje me të huajt, të cilët bëjnë pjesë në kategoritë me mbrojtje të përkohshme dhe plotësuese, këtyre kategorive u jepet mundësia të integrohen në tregun shqiptar të punës.

Monitor

Exit mobile version