Eksperti i ekonomisë Zev Preçi foli në “Mcn Economy” për ligjin që kaloi dje në Kuvend, ku ndryshimet lejojnë edhe këmbimin e pronës publike në pronë private. Preçi tha që ky ligj është një lloj nënshtrimi që qeveria bën ndaj grupeve të interesit, oligarkëve, dhe segmenteve të krimit të organizuar, që janë “pushtuesit e trojeve publike”.
“Ky akt ligjor ngriti debat në Parlament dhe jashtë tij për faktin që mënyra si u mor, pa asnjë konsultim publik paraprak, pa asnjë relacion, që shpjegon përse ndërmerret dhe çfarë pasoja krijon. Kuptohet që lë shteg për shumë hamendësime dhe njëkohësisht prek disa baza që janë krijuar. Nëse shteti nxiton që çdo pronë që formë që mund të shitet, të falet, të përcillet në duar të privatëve, ta çojë në këtë mënyrë, praktikisht ka kompromentuar të ardhmen. Mund të sigurojë ndonjë të ardhur në buxhet, apo mbështetje elektorale, respektim formal të ligjit, por në thelb ka cenuar interesin publik. Në vend që të krijohet regjistri i pronave publike të lira, të ushtrisë, Ministrisë së Kulturës, bashkive në funksion të zhvillimit, sepse qeveria është përgjegjëse edhe për brezat që do të vijnë dhe pasuritë publike po bëhen përherë e më të çmueshme. Për fat të keq ky ligj është një lloj nënshtrimi që qeveria bën ndaj grupeve të interesit, oligarkëve, ndaj segmente të krimit të organizuar që po arrestohen nga SPAK-u dhe ata janë pushtuesit e trojeve publike. Krijohet një bazë ligjore që mundëson këtë lloj transferimi. Ka një agresion të vërtetë ndaj gjithçkaje publike, ndodh për interesa elektorale, për interesa korruptive të disa zyrtarëve vendimmarrës, etj. Konkurrenca është viktima e keqqeverisjes dhe ky rast s’bën përjashtim. E bëjnë me ligj në mënyrë që mbrohen nga SPAK-u dhe hetimet e ardhshme. Mendoj që është një hap i nxituar, ndoshta nën presionin e oligarkëve, lobistëve, politikanëve të korruptuar”.