Nga Erl Kodra
Kur doli lajmi se Arben Ahmetaj çau ferrën në përpjekje për t’i shpëtuar burgut, me siguri që shumë prej jush mund të kenë ndjerë keqardhje, se si është e mundur që numri dy i qeverisë shqiptare, dhe njëkohësisht njeriu që ka menaxhaur (lexo vjedhur) financat e shtetit ikën si një bandit. Në fakt ai është një bandit, një grabitës dhe një keqbërës ordiner, pjesëtar i bandës së kapobantës Edi Rama.
Ka diçka të jashtëzakonshme në gjithë këtë histori që po përjetojmë – sepse padyshim që jemi dëshmitarë të një historie të jashtëzakonshme – se këta gringot që i kemi parë përnatë përmes televizorit duke na shitur mend dhe moral nuk paskan qenë asgjë më shumë dhe asgjë më pak se sa kokrrat e legenave. Dhe jo legena dosido, por komplet fundërrina.
Këta birbo që vodhën si të babëzitur paratë e shtetit shqiptar, që hiqen si evlia në televizion, me fjalë të mëdha, të zgjedhura, heroike; që përbetohen se po punojnë natë e ditë për të mirën tonë – bash atëherë kur u erdhi shansi të provojnë “pafajsinë” e tyre – çajnë ferrën. O TEMPORA, O MORES!
Për tridhjet e dy vjet patën shansin të ndërtojnë një shtet të drejtë, por ndërtuan një shtet bandit, patën shansin t’i ndryshojnë faqen Shqipërisë, por ndërtuan një xhungël betoni, patën shansin që të ndërtonin një ekonomi të fortë, por 500,000 qytetarë i zhytën në mjerim ekstrem. Kriminalizuan një popull duke u hequr çdo mundësi që të fitojnë jetën përmes punës. Këta birbo vetëm vodhën dhe shkatërruan jetë shqiptarësh.
Sonte u dha lajmi se Ilir Meta (nuk më bën zemra të shkruaj se ky njeri ka qenë Kryeministër dhe President i Shqipërisë) paska çarë ferrën. Nëse lajmi është i vërtetë, në fakt është lajmi më fantastik. Sepse më në fund, edhe militanti i fundit do të kuptojë se çfarë “legjendash” na kanë qeverisur.