Në momentin kur është gati të provojë një aventurë të re, pas eksperiencës gjashtë vjeçare te Pas Janina e ndërprerë vetëm nga huazimi 6-mujor te Parma në Serinë A, Andi Lila i jep një prej lamtumirave më të mira klubit. Mbrojtësi kuqezi ishte kapiten, e madje arriti të shënonte edhe një gol në fitoren 2-1 që Pas Janina regjistroi në miqësoren e luajtur përballë Tylkratis.
31-vjeçari nga Kavaja realizoi golin e dytë të ndeshjes, duke devijuar saktë me kokë drejt rrjetës një harkim nga këndorja. Festë dhe ovacione nga tifozët, për lojtarin që pavarësisht disa momenteve delikate, ka qenë gjithmonë një idhull në Janinë.
Lamtumirë e denjë për një kampion që në fushë ka sakrifikuar gjithçka nga vetja, ndërsa Pas Janina e mbylli sezonin e rregullt në mesin e tabelës në Superligë dhe tashmë në Greqi do të luhen vetëm 6 ndeshje për të përcaktuar pjesëmarrjen në Kupat e Europës, ndërsa Olympiakosi është shpallur kampion për të 43-ën herë. Karriera e Andi Lilës pritet të vazhdojë në Premier ligën e Azerbajxhanit, ndërsa mbetet për t’u zbuluar emri i skuadrës dhe kohëzgjatja e kontratës së re të mbrojtësit.