Cagliari bëhet skuadra e shtatë e Serisë A që kërkon shërbimet e Ledian Memushajt. Mesfushori kuqezi është një prej lojtarëve më të pëlqyer në merkaton e verës në elitën e futbollit italian, pavarësisht se vlonjati nuk e ka fshehur dëshirën të qëndrojë te Pescara, pavarësisht se skuadra ra në Serinë B. Në këtë mënyrë, klubi nga Sardenja është futur në garë për 30-vjeçarin, për të cilin deri më tani kanë shfaqur interes SPAL-i dhe Benevento që sezonin e ardhshëm do të luajnë mes më të mirëve, por edhe Lazio, Bologna, Empoli e Crotone.
Memushaj ishte një prej elementëve më të spikatur të Pescarës gjatë sezonit të kaluar, ku përveçse mbante shiritin e kapitenit, u aktivizua në 36 ndeshje, nga të cilat vetëm në një rast nga stoli, ndërsa shënoi edhe një gol në humbjen 3-2 përballë Romës. Performanca e tij dhe kualiteti që garanton kuqeziu në mesfushë në manovrat e lojës nuk kanë kaluar pa u vënë re, jo vetëm në Itali, por edhe në Francë. Nga Ligue 1, për shërbimet e Ledian Memushajt interes ka shfaqur edhe Lille.
Skuadra që sezonin e kaluar bleu talentin shqiptar Agim Zeka është futur në këtë mënyrë në garë me gjysmën e skuadrave të Serisë A, ndërsa një arsye më tepër për Memushajn, që të provojë aventurën jashtë Italisë mund të jetë fakti se te Lille do të kishte shansin të punonte me Marcelo Bielsan, argjentinasin që është një prej emrave më të mëdhenj të trajningut në botë.