Limaj i lirë nga akuzat për krime lufte

Gjykata e Lartë e Kosovës ka refuzuar apelin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, PSRK, kundër lirimit të hershëm nga akuzat të ish-komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj dhe nëntë të tjerë të akuzuar për krime lufte të kryera në vitin 1999, në të ashtuquajturën “çështja Kleçka”.
Civilë dhe të burgosur shqiptarë dhe serbë u rrahën dhe u torturuan nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në qendrën e paraburgimit në Kleçkë gjatë luftës në Kosovë.
Por Gjykata e Lartë tha se apeli kundër lirimit nga akuzat ishte pa baza.
Florin Vertopi, avokati i një prej të pandehurve, përshëndeti fitoren në Facebook. “Çështja Kleçka më në fund përfundoi. Mocioni për mbrojtjen e drejtësisë të PSRK u refuzua”, shkroi ai.
Avokati i Limajt, Tahir Rreçi, tha për “BIRN” se, “Limaj tani është më në fund i pafajshëm”.
Çështja Kleçka u hap në vitin 2011 me një padi të ngritur nga një prokuror i EULEX-it. Gjyqi filloi në janar të vitit 2012, por ai u mbështet në dëshminë e një dëshmitari të vetëm, Agim Zogaj, i cili kreu vetëvrasje ndërsa ishte nën mbrojtjen e EULEX-it në Gjermani.
Në aktakuzë ishin të përfshirë 10 të pandehur – Limaj, Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj.
Në maj 2012, Limaj dhe tre të tjerë u liruan nga akuzat, duke ndjekur kështu lirimin e mëparshëm nga akuzat të pesë të pandehurve të tjerë në mars të atij viti. Gjykata kishte vendosur ta ndante çështjen në dy çështje të ndryshme, “Kleçka 1” dhe “Kleçka 2”.
Në janar 2013 Gjykata e Lartë e Kosovës pranoi apelin e PSRK, urdhëroi një rigjykim të çështjes dhe Limaj u ndalua.
Në dhjetor 2013, Gjykata e Shkallës së Parë e Prishtinës liroi nga akuzat Limajn dhe të tjerë, në një proces ku shumë dëshmitarë ndryshuan deklaratat e tyre. Në maj 2016, duke iu përgjigjur një apeli nga PSRK, Gjykata e Apelit çertifikoi vendimin për lirimin nga akuzat të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.
PSRK atëherë kërkoi të ashtuquajturën mbrojtje e ligjshmërisë së vendimit apelues të Gjykatës së Apelit.
Gjykata e Lartë e Kosovës, si instanca e fundit gjyqësore në sistemin gjyqësor në Kosovë, e refuzoi këtë më 12 maj dhe i dorëzoi vendimin avokatëve të mërkurën.

Artikulli paraprakArmiqësia ndaj emigrantëve
Artikulli tjetërPresidenti maqedonas pritet përzemërsisht në Moskë