Ulja e eksporteve këtë vit u paralajmërua nga revista ekonomike “Monitor” muaj më parë. Argument që po vlen prej kohësh, është se lëndët e para kanë çmime të ulëta në botë, ndërsa ne vijojmë të eksportojmë masivisht lëndë të parë, kryesisht minerale. Por ulja e eksporteve me 8% në gjysmën e parë të vitit, nuk është vetëm nga eksportet tona të varfra në vlerë. Taksat e rritura e çmimi i energjisë, janë goditje shtesë për këtë vit. Shqetësimi është se, as sipërmarrjet private, e as shteti, nuk po punojnë sa duhet për t’u bërë konkurrues. Ndryshe nga ne, Maqedonia tërhoqi investitorë në industrinë e automobilave, duke i bërë eksportet të qëndrueshme. Çdo vit 30-40% e eksporteve shqiptare janë minerale lëndë e parë. Për shkak të çmimeve të ulëta në botë, edhe në gjysmën e dytë të vitit pritet të kemi eksporte të dobëta.