Inspektorati Vendor për Mbrojtjen e Territorit (IVMT) pranë Bashkisë së Kamzës ka nisur punën në terren për lirimin e hapësirave publike në Njësinë Administrative Paskuqan. Lirimi i hapësirave do të përfshijë zonën Babrru-Shpat, rrugën “Haxhi Ymer Prizreni”, rrugën “Zef Serembre” deri tek rruga “Demokracia”. Gjatësia e projektit është 1018 ml. Për kryerjen sa më mirë të kësaj nisme janë ngritur grupe pune të posaçme me specialistë të disa sektorëve. Gjatë këtyre ditëve banorët e kësaj zone janë njoftuar vazhdimisht për t’i prishur objektet e tyre në mënyrë vullnetare në kuadrin e hapjes së hapësirave publike për zbatimin e projektit në Babrru-Qendër. Pas marrjes së njoftimeve qytetarët janë ndërgjegjësuar se duhet të ndërhyhet në këtë zonë për të përmirësuar infrastrukturën që e kanë shumë të nevojshme. Në ditën e sotme ka nisur puna me vendosjen e piketimeve të nevojshme se ku duhet të ndërhyhet për zbatimin e projektit.
Kjo zonë pothuajse e ka 20-fishuar popullsinë e saj gjatë 25 viteve të fundit. Ndërtimet gjatë kësaj periudhe janë bërë në mënyrë të paplanifikuar, duke krijuar një përkeqësim urban. Për pasojë është e domosdoshme ndërhyrja, sepse mungon infrastruktura rrugore e nevojshme për këta banorë. Situata e krijuar në vite si dhe reforma territoriale kanë nxjerrë para institucionit të Bashkisë Kamëz organizimin për lirimin e hapësirave publike, me qëllim kryerjen e investimeve të planifikuara për të përmirësuar çdo ditë infrastrukturën rrugore të zonave përkatëse në dobi të jetës së qytetarëve. Këto nisma janë pjesë e programeve zhvillimore të Bashkisë Kamëz dhe kryebashkiakut Xhelal Mziu.