Me urdhër të kryeprokurorit Adriatik Llalla, është pezulluar nga detyra prokurori i Lezhës, Gjergj Rudi, pas skandalit të lirimit nga burgu i Shën Kollit të kosovarit Shuaip Zukaj.
Ky pezullim i prokurorit Rudi deri në përfundim të hetimit penal, mësohet se ka ardhur menjëherë pas kallëzimit të ish-juristit të burgut, tashmë i arrestuar për këtë lirim dhe publikimit të skandalit nga ABC News.
Burimet thonë se, dosja për hetimin e kësaj ngjarje është transferuar në prokurorin e Krujës për shkak se pjesë e hetimeve është edhe vet prokurori i institucionit të akuzës në Lezhë. Mësohet se dosja po hetohet nga prokurori Florion Bunjaku, i cili krahas administrimit të provave shkresore ka marrë në pyetje persona të ndryshëm, mes tyre edhe prokurorin e pezulluar Gjergj Rudi. Burimet thonë se, prokurori Rudi, ka treguar të gjitha urdhërat e firmosura prej tij që në momentin e caktimit të masës së sigurisë ndaj Kosovarit Zukaj e deri te vendimi i ekstradimit. Të gjitha këto praktika, prokurori Rudi ka pretenduar se i ka dërguar pranë institucioneve përkatëse, qoftë edhe atë të burgut të Shën Kollit në Lezhë. Nga ana tjetër, ish-juristi i burgut tashmë i arrestuar Dejvis Alihoxha gjatë marrjes në pyetje dhe pretendimeve para Gjykatës ka mohuar se në kartelën e kosovarit Shuaip Zukaj ka qenë vendimi i ekstradimit të tij. Por pavarësisht pretendimeve, mësohet se Prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e librit të protokollit të burgut të Shën Kollit për të parë nëse këto vendime dhe urdhëra të prokurorit Rudi janë marrë në dorëzim. Gjithashtu për këtë fakt, po verifikohen edhe librat e protokollit të Prokurorisë së Lezhës.
Për skandalin e lirimit nga burgu të Shuaip Zukajt i dënuar në Kosovë me 20 vite burg, përveç arrestimit të ish-juristit janë shkarkuar nga detyra edhe drejtori i burgut dhe 7 punonjës të tjerë. Këto shkarkime, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë ardhur për shkak të neglizhencës së tyre në detyrë.
Shuaip Zukaj i njohur edhe me emrin Shaban Zukaj, në vitin 1999 ka tentuar të vrasë një person në Shëngjin. Për këtë ngjarje është dënuar në mungesë në Shqipëri me 15 vite burg. Gjatë kohës së arratisjes akuzohet se ka kryer në Kosovë një vrasje në vitin 2011. Pas ngjarjeve është larguar në Belgjikë, ku është arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptare, për t’u ekstraduar në vitin 2012 në Shqipëri. Ku dënimi prej 15 vitesh i është ulur në 6 vite burg dhe në përfundim të dënimit duhet të ekstradohej në Kosovë me kërkesë të këtyre të fundit. Por me të përfunduar dënimin, ai është lënë i lirë, duke mos respektuar vendimin për ekstradimin e tij.