Janë zbardhur argumentet e Gjykatës së Durrësit, e cila vendosi në 19 dhjetor 2017 të njohë dënimin për Durim Keçin, dhënë nga drejtësia italiane me 8 vite e 9 muaj burg për trafik droge dhe prostitucion. Sipas vendimit të gjykatëses Eda Kaja, 41-vjeçari ka kryer 3 vite e 6 muaj paraburgim në Itali nga maji i vitit 2002 deri në dhjetor të vitit 2005.
Gjithashtu ai ka përfituar ulje dënimi me 3 vjet për efekt të amnistisë. Ndërsa i llogaritet edhe periudha e paraburgimit në Shqipëri për efekt ekstradimi drejt Italisë.
Duke llogaritur të gjitha këto vendime, sipas Gjykatës së Durrësit, Durim Keçit i përfundonte dënimi dhe 2 ditë më parë, ai është liruar nga burgu.
Në vendimin e Gjykatës paraqiten dhe të gjitha episodet, ku Keçi ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës dhe shfrytëzimin e prostitucionit.
Ai u arrestua pwr llogari të autoriteteve italiane, të cilat pranuan njohjen e dënimit dhe vuajtjen e tij në Shqipëri. Për lirimin e Durim Keçit reagoi edhe Partia Demokratike. Enkelejd Alibeaj sqaroi se, mos ekstradimi i tij ishte paralajmëruar nga opozita për shkak të lidhjeve të tij me eksponentë të Partisë Socialiste. Shijakasi Durim Keçi nuk është një emër i panjohur për opinionin publik.
Deputeti dhe ministri i PS, Blendi Klosi bëri fushatë me Durim Keçin, ndërsa pozoi edhe me të. Fotot u publikuan në media vitin e kaluar.