Lista e Edi Ramës, si fushata pas vdekjes së Mehmet Shehut: Fillimi i fundit!

Edi Rama nuk ka pasur kurajo që të mbronte sot listën e tij të deputetëve, e cila nga propaganda po quhet risi, por që për opinionin nuk është fare e tillë.

Rama e ka përmbysur të gjithë Partinë Socialiste, për të sjellë në drejtim, përkatësisht në Kuvendin e Shqipërisë, njerëz që nuk kanë lidhje me partinë por me të personalisht.

Thuajse shumica e listave të mbyllura të PS në qarqe nuk kanë lidhje me socialistët. Disa kanë lidhje me PD dhe kanë qenë pjesë e listave të saj si në Kukës apo në Vlorë.

Kurse pjesa më e madhe, janë personazhe që Edi Rama i ka promovuar në podkastin e tij, i ka përzgjedhur, e në fund i ka kandiduar pa i thënë askujt.

Edi Rama ka vrarë politikisht dy lobe në Shqipëri; atë të Partisë Socialiste të Tiranës dhe të degëve në rrethe. Në Partinë Socialiste të Tiranës, Rama ka vendosur veten, ministrat e tij, plus Elisa Spiropalin dhe Lindita Nikollën, si një shenjë politike për të shtypur me zjarr e me hekur PS që në të gjithë qarkun ishte ngritur ndër vite nën drejtimin e Erion Veliajt.

Rama, sot e ka trajtuar Erion Veliajn, si Mehmet Shehun, Enver Hoxha, pas fejesës së Skënderit me Silva Turdiun. E ka shpallur armik dhe e ka mbushur kryeqytetin me ministra, duke e kryesuar vetë listën, si për të treguar se partia është ai dhe njerëzit e tij, e jo Erion Veliaj apo deputetët me individualitet. Ndërkaq emrat me peshë në PS i ka lënë në thertoren e listës së hapur, ku sipas të gjtha gjasave i ka futur në një luftë vëllavrasëse.

PS që do të dalë pas 11 majit nuk do të jetë më një organizatë politike e së majtës, por një strukturë miqsh dhe servilësh të Edi Ramës.

Futja në listën e mbyllur në Tiranë të një personazhi që ka thënë se kryeministri është shumë hapa para nesh, ndërkohë që Erion Braçen e ka futur në thertore, është një sinjal politik për t’i thënë socialistëve që karrierë mund të bëni vetëm nëse veneroni “shokun Enver”.

Në Shkodër, ka vendosur të parën në listë një grua të suksesshme në një inciativë private, por që politikisht nuk përfaqëson as krahinë e as PS. Socialistët e Shkodrës, do të votojnë për një demokrat 24 karatësh si Onid Bejleri, apo neomalësoren e suksesshme të një agroturizmi në luginën e Komanit, por që nuk kanë sot një përfaqësues të tyre.

Ndërkohë nga ana tjetër nuk ka asnjë skrupull që kandidon vajzën e Agron Çelës si deputete, duke e tradhëguar mandatin e Xhabijes, si një shenjë të bejlerëve të rinj socialo-demokratë, që i kanë nxirë jetën qytetit për mbi 30 vjet.

Por kjo kujtesë e fshirë socialiste në listën e Edi Ramës shihet në të gjitha qarqet, ku maksimumi që mund të ketë një përfaqësues të PS, ai është ose një biznesmen si një oligark laboratorësh analizash në qarkun Vlorë, apo një pronar marketesh që ka përfituar nga fondet publike sërish në Vlorë.

Ndërsa Rama hoqi, pa ju dridhur qerpiku të gjithë emrat e njohur të socialistëve në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Dibër etj, nuk preku lobin e Qifes në Elbasan, ku i mbajti dhëndrin dhe djalin. Nuk preku linjën e Belinda Ballukut në Vlorë e Fier, duke e kthyer në Gramoz Ruçin e ri socialist. Lista e Fierit ka mbi tre emra të lidhur ngushtë me Belindën, ndërkohë që Piro i Portit është në Vlorë.

Është dukshëm një listë pastrimi, të cilën Edi Rama e ka hartuar për të larguar të gjithë ata njerëz që mund të mendojnë se duan të zënë postin e tij apo të krijojnë një lob politik kompetitiv.

Ka lënë apo ka vënë më mirë të thuhet vetëm ata njerëz që i shpallin veneracione. Të gjithë ata që e kanë mbrojtur politikisht janë në listë të mbyllur, ata që kanë folur për një politikë të Partisë Socialiste nuk janë më në listë. Viktima më e madhe është Lavdrim Krashi në Dibër. I katapultuar nga diaspora, i caktuar në zgjedhjet e 2021 si kreu i qarkut të Dibrës, u deklasua pasi nuk shfreu asnjëherë në publik një orgazëm për Edi Ramën, si disa të tjerë. Madje Krashi, ka qenë një interlekutor i shumë ambasadave Perëndimore në vend, përkatësisht asaj britanike dhe gjermane.

Rama, duket e ka eleminuar edhe për këtë. Sepse po përgatit një PS, që po shënon fundin e tij politik. Por edhe në fund, të mos dorëzohet në duart e kundërshtarëve të tij.

Kjo është lista e fundit e Edi Ramës, e cila në kohën e fundme të tij, është si lista e Nexhmies dhe Ramizit për të ndaluar çdo Mehmet e Kadri për të ardhur në krye. /Pamfleti

Artikulli paraprakGjermania e madhe është rikthyer!
Artikulli tjetërBasha nga Njësia 8, Tiranë: Angazhohemi për një Shqipëri që meriton më shumë – taksë e sheshtë 9% dhe mbështetje pa kushte për drejtësinë!