Më shumë se një “mallkim”, institucionet shqiptare e kanë kthyer në një traditë mungesën e respektimit të kontratave. Në dokumentet e siguruara nga “Monitor” konstatohet se, për shumë rrugë dhe punë publike nuk është planifikuar fondi i nevojshëm për të paguar edhe pse veprat po ndërtohen dhe po avancojnë. Vetëm në katër muajt e parë, Ministria e Transporteve krijoi 9 milionë dollarë detyrime, ndërsa për të gjithë periudhën nga viti 2015 e deri në prill 2016, detyrimi shkon në 16.8 milionë dollarë. Përveç vonesave në pagesat e rimbursimit të TVSH-së, precedenti i cili ngjalli pakënaqësi kudo ishte pikërisht ndërtimi i veprave publike pa u paguar. “Monitor” siguron listën e plotë të borxheve që ministritë kanë krijuar ndaj firmave dhe individëve të ndryshëm për punë publike të papaguara dhe vendime gjyqësori. Jo vetëm klasa politike, por edhe ekspertët, ekonomistët, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kritikuan administratën e atëhershme për një gabim të madh që bëri duke dhënë pasoja direkte në ekonomi. Fillimisht, askush nuk pranoi nga kabineti se ishin krijuar këto borxhe, bizneset kishin frikë të dilnin dhe të flisnin hapur, megjithatë ata nuk ngurruan të takonin gazetarët dhe të lëshonin dokumente, të cilat vërtetonin punët e bëra, paratë e paderdhura në llogaritë e tyre, por ajo që ishte edhe më e dhembshme kishte të bënte me faktin se një pjesë e firmave kishin paguar edhe taksën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për objektet e përfunduara dhe nuk kishin marrë asnjë qindarkë. Një listë me 60 emra kompanish, të cilat nuk ishin paguar edhe pse rrugët që kishin ndërtuar kishin përfunduar, qarkulloi në atë kohë. Në ato rreshta, të cilat dilnin nga borderotë e kompanive dhe ishin shënuar të gjitha në detyrimet e Ministrisë së Financave shihje rrugë, të cilat të kujtonin shiritat e prerë pareshtur nëpër fushata zgjedhore, por që i ngarkoheshin si borxh tashmë, përveç qytetarit edhe firmave. Ndërtuesit nuk i denoncuan publikisht sepse kishin frikë se nuk merrnin kurrë paratë. Kjo shpjegonte gjithçka. Edhe nëse ata do të ankimonin në gjykatë të drejtën për t’u paguar, siç nuk ngurronin shpesh ta përdornin si argument qeveritarët, kishin frikë se nuk do të arrinin të merrnin më tendera. E gjithë kjo histori i dha një tjetër rekord vendit tonë, dolëm të tretët në Europë për nivelin më të lartë të kredive të këqija dhe të parët në rajon. Kompani të ndryshme, të cilat nuk kishin fonde të mjaftueshme për të përfunduar tërësisht veprën, merrnin kredi në banka duke lënë garanci kontratën me shtetin dhe në fakt prisnin vite që të paguheshin. Përveçse kreditorë të këqij, ata u kthyen edhe në biznese të sëmura, të cilat sillnin probleme dhe për kompanitë e tjera. Në shumë raste nuk paguheshin furnizuesit e materialeve të ndërtimit, firmat nënkontraktore, por edhe punonjësit. Në maj të vitit 2013, Ministria e Financave arriti të paguante një pjesë të këtyre detyrimeve me paratë që arkëtoi nga shitja e 4 hidrocentraleve firmës “Kurum” për 110 milionë dollarë, por vorbulla që u krijua 4 vite më parë nuk mund të mbulohej me kaq para. Një premtim elektoral i socialistëve, shlyerja e detyrimeve të prapambetura u vu në krye të axhendës së qeverisë. Pas kësaj perdeje u justifikua rritja e taksave ndaj biznesit, të cilëve u thoshin: o rritje taksash e pagesa të detyrimeve ose e shtyjmë në kohë pagesën e nuk ndryshojmë nivelin e taksave. Një kredi gjigante nga FMN e një marrëveshjeje të re me Fondin do t’i siguronte buxhetit të shtetit paratë për të paguar vlerën 720 milionë dollarë që nxori si borxh total auditi i “Deloitte”. Sot të gjitha këto para janë paguar, të shoqëruara edhe me shumë ligje, vendime dhe udhëzime që të parandalojnë krijimin e detyrimeve të reja. Por, mesa duket, Shqipëria e ka të vështirë t’i shpëtojë një “mallkimi” të tillë. 80 milionë dollarë janë detyrime që ndodhen në inventarët e bashkive, të cilat janë trashëguar, por ende nuk dihet nëse do të kthehen apo jo ndonjëherë te kompanitë private. Buxheti i shumë njësive vendore është i ulët, çka e bën të pamundur pagesën për punët publike që kanë shkaktuar këto njësi. Kësaj vorbulle nuk i kanë shpëtuar as institucionet e tjera. Ministria e Transporteve vijon të mbajë vendin e parë në listë e një pjesë tjetër e detyrimeve vijnë nga vendimet e gjykatave të paekzekutuara. Më shumë se një “mallkim”, institucionet shqiptare e kanë kthyer në një traditë mungesën e respektimit të kontratave. Në dokumentet e siguruara nga “Monitor” konstatohet se, për shumë rrugë dhe punë publike nuk është planifikuar fondi i nevojshëm për të paguar edhe pse veprat po ndërtohen dhe po avancojnë. Vetëm në katër muajt e parë, Ministria e Transporteve krijoi 9 milionë dollarë detyrime, ndërsa për të gjithë periudhën nga viti 2015 e deri në prill 2016, detyrimi shkon në 16.8 milionë dollarë.
Mbi 16.8 milionë dollarë detyrime vetëm nga Transportet
Detyrimet e Ministrisë së Transporteve:
6 milionë lekë rimbursim i TVSH-së dhe taksës doganore për projektin “Rehabilitim i kalatës së Portit të Vlorës”.
9 milionë lekë “Kontrata, studime, projektime dhe oponencë” kanë ardhur si pasojë e mosplanifikimit të buxhetit të Autoritetit Rrugor për vitin 2016.
7 milionë lekë “Kontrata investimi për ndërtime dhe rikonstruksione” janë kontrata shumëvjeçare dhe buxhet i pamjaftueshëm për likuidimin e plotë të faturave, ndërkohë që kontraktorët vazhdojnë me avancimin e punimeve sipas grafikut të tyre.
4 milionë lekë “Supervizione punimesh” detyrime që lidhen me kontratat e ndërtimit.
5 milionë lekë TVSH dhe kosto lokale.
146 milionë lekë “Vendime gjyqësore”.
140 milionë lekë “Ujësjellës-Kanalizime” detyrim që ka të bëjë me pagesat e TVSH-së me projekte të huaja.
Detyrimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit:
2 milionë lekë Universiteti “Aleksandër Moisiu”, likuidimi i këtyre fondeve pritet të bëhet me buxhetin e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve.
8 milionë lekë “Vendime gjyqësore”, janë të krijuara nga Drejtoria Arsimore.
4 milionë lekë Universiteti “Eqerem Çabej”.
Detyrimet e Ministrisë së Drejtësisë:
7 milionë lekë “Agjencia e Trajtimit të Pronave”, këto shuma kanë të bëjnë me detyrimin për ekzekutimin e vendimeve të gjykatave, por kanë fonde të pamjaftueshme.
3 milionë lekë “Mjekësia ligjore” janë detyrime gjyqësori që edhe pse njiheshin nuk janë parashikuar në buxhet.
8 milionë lekë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, përmes detyrimeve që ka në zërin e investimeve dhe punëve të kryera në objektet e saj.
Ministria e Shëndetësisë:
7 milionë lekë “Vendime gjyqësore”, këto detyrime janë krijuar në disa spitale rajonale.
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave:
59 milionë lekë “Projekti për ndërtimin e Portit të Peshkimit Durrës”, këto detyrime janë krijuar sepse nuk kanë qenë të mjaftueshme në fondet e parashikuara për ndërtimin e tyre.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes:
7 milionë lekë “Vendime gjyqësore”, këto detyrime janë krijuar në masën 2.6 milionë lekë në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe pjesa tjetër lidhet me aparatin e ministrisë.
Ministria e Financave:
9 milionë lekë “Vendime gjyqësore”, këto detyrime vijnë kryesisht nga vendimet e dhëna kundër Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Ministria e Integrimit Europian:
1 milion lekë “Vendime gjyqësore” është vetëm një vendim gjyqësor që pritet të shlyhet.
Ministria e Kulturës:
2 milionë lekë “Vendime gjyqësore” janë dy vendime të dhëna për Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër dhe pritet likuidimi brenda këtij viti.
Ministria e Mjedisit:
2 milionë lekë “Vendime gjyqësore” këto detyrime kanë lindur vendimet e formës së prerë më 2016-n.