Lista e zezë e Kryeministrit kërkon një përgjigje të fortë ligjore

Eduart HALIMI

Akti i kryer dje nga kryeministri duke publikuar nëpërmjet një raporti të zyrës së tij, listë me emra zyrtarësh, gjyqtarësh e prokurorësh që i akuzon për korrupsion pa prova, pa fakte, por vetëm në informacione anonimë, është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ky raport i publikuar dje nga Kryeministri kërkon një reagim të fortë ligjor dhe jo retorikë. Jo retorikë sepse propaganda e qeverisë do e mbyste siç po e mbyt në fakt gjatë këtyre orëve.
Nuk dua t’i shtoj asgjë më tepër komenteve të politikanëve apo njerëzve të medias gjatë këtyre orëve. Akti i djeshëm i Edi Ramës, shkatërron sistemin e kontrollit dhe llogaridhënies në një Republikë parlamentare, shkatërron mekanizmin check and balance, bën nul përpjekjet për një reformë reale në drejtësi, për një veting të vërtetë dhe që padyshim i hap rrugën arbitraritetit, subjektivizmit, autoritarizmit totalitar.
Kjo është aq e thjeshtë mjafton të shohësh se në atë listë nuk janë oficerët e policisë, prokurorët e gjyqtarët që kanë liruar banditët e Lushnjës, Durrësit, Fierit, Beratit apo ata që liruan vrasësit e komisarit të policisë, liruan trafikantin që ndodhej në makinën e deputetit të Edi Ramës e kështu me radhë. Unë e kam të qartë se Edi Rama nuk ka nevojë fare, për letra anonime për emrat e oficerëve, prokurorëve e gjyqtarëve, pasi pas lirimit të tyre ka qenë personalisht ai, jo vetëm sepse nuk reagoi asnjë sekondë gjatë 4 viteve sa herë që liroheshin, por dhe sepse banditët e liruar ishin në krah të deputetëve të tij, të kryetarëve të PS nëpër qarqe gjatë fushatës, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe madje edhe në numërim të votave.
Por nuk dua të rithem sot atë që kam thënë e stërthënë sepse Edi Rama mund të dalë nesër me një listë tjetër dhe unë jam kundër akteve të tilla që thyejnë çdo nen të Kushtetutës si akte të një autoritarizmi ekstrem.
Sot e kam me ata 30 gjyqtarë e prokurorë që janë në listën e zezë të kryeministrit dhe kanë heshtur gjatë këtyre 24 orëve. Ju gjyqtarë e prokurorë që jeni në atë listë, si juristë që jeni e dini shumë mirë se akti i Kryeministrit është antikushtetues, antiligjor dhe i dënueshëm penalisht.
Akti është individual për secilin prej jush dhe kërkon një përgjigje të fortë ligjore individuale.
Ju gjyqtarë e prokurorë paguheni nga taksat, djersa dhe gjaku i qytetarëve çdo muaj, madje dhe kur pushoni, për të mbrojtur ata, qytetarët nga paligjshmëria e pushtetit, nga keqpërdorimi i ligjit dhe dhuna e pushtetit. Por kur ju heshtni dhe nuk mbroni veten tuaj dhe familjen tuaj, çfarë dreqin i duheni qytetarëve? Kur nuk mbroni veten tuaj do të mbroni sot në mëngjes qytetarët??!
Nëse ju 30 gjyqtarë e prokurorë heshtni, nuk padisni individualisht penalisht Kryeministrin sot, atëherë mos shkoni të uleni fare në zyrën që ua paguajnë qytetarët, por ikni, nuk duhet të qëndroni asnjë minutë në karrigen e gjyqtarit apo prokurorit.
Nëse ju jeni në atë listë dhe e dini se akuza e KM qëndron, por shpresoni t’i shmangeni apo kjo të fashitet nga lajme të tjera të rënda që shoqërojnë realitetin ku ndodhemi, jeni të mjerë.
Nëse ndonjëri mendon se opozita do të bëjë avokatinë, duke besuar për 1 minutë propagandën e kryeministrit, është sërish i mjerë. Opozita u përfshi në reformën në drejtësi për të patur një drejtësi që mbron qytetarët, që është e aftë, por dhe e fortë, e pavarur dhe e pakorruptuar, jep llogari, por dhe kërkon llogari. Këto lloj gjyqtarët e prokurorësh kërkon opozita në reformën në drejtësi, dhe jo ata që fshihen me shpresën se do ia hedhin apo do i bëjnë një shërbim kryeministrit të radhës. Kush mendon se opozita ka pasur dhe ka në mendje për të mbrojtur ndonjërin syresh prej tyre është fatkeq, shpresëhumbur dhe i mjerë.
Ndaj ju, 30 gjyqtarët e prokurorët e asaj liste të zezë mos prisni nga askush, nga opozita jo e jo, por as nga ndonjë tjetër që të dalë e t’ju mbrojë nëse ju nuk i dilni vetë zot, emrit tuaj në atë listë, nga i pari gjyqtar prej 20 vjetësh, djali i ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese e deri tek i fundit që nuk e njoh fare.
Dilini për zot emrit tuaj dhe familjes suaj dhe bëni përballjen me kryeministrin në gjykatë që t’i mbushni mendjen fëmijëve tuaj së pari, familjarëve tuaj së pari e pastaj gjithë atyre që gjykoni çdo ditë, se jeni të pafajshëm dhe se raporti i Kryeministrit është një akt penalisht i dënueshëm. Përballuni individualisht nëse jeni të pafajshëm.
Nëse nuk e bëni dhe heshtni më mirë ikni, që sot, që tani. Nuk i duheni kurrkujt në atë karrige dhe jo më të paguheni kot me paratë e qytetarëve.

Artikulli paraprakBlerja e votave, tjetërsoi zgjedhjet
Artikulli tjetërDuhet ndalur ky delirant