“Lista me librat që duhet të zhduken nga qarkullimi”- Vendimi i Enver Hoxhës në 1975, si u persekutuan shkrimtarët

PROF. DR. ELMAS LECI/ Këtu te ne u zhvillua para pak ditësh Panairi i Librit, i bukur dhe i suksesshëm, por për ne që e kemi jetuar kohën e kaluar na kujtoi një kohë tjetër, vitin 1975, ku sipas dokumente arkivore u dha goditja nga regjimi i kohës ndaj kulturës e njerëzve të saj, u dha urdhri për heqjen nga qarkullimi të shumë librave “me kulturë borgjeze”, për grisjen prej shumë nga ata tituj librash, si dhe për fatin që patën më pas ata njerëz vetë të indoktrinuar që realizuan inkuizicion ndaj librit. Ishte koha që regjimi mendonte se duhej larguar vëmendjen nga një situatë e rëndë ekonomike brenda vendit, por dhe synimi i mbajtjes sa më gjatë të pushtetit. Për këto regjimi komunist i Enver Hoxhës organizoi goditjet më të fuqishme njërën pas tjetrës në një seri fushash të jetës, si në ekonomi, në ushtri, por edhe në kulturë e arte. Në këtë të fundit, furtuna ra mbi autorët dhe librat e tyre. Ato u bënë pre e persekutimeve, ndërsa librat dhe literatura u bënë veprim i djegieve masive, veprime që të kujtonin periudhën e nazizmit në Gjermani.

enver hoxha

PAS USHTRISË, FRONTI I LUFTËS, KULTURA

Në vitin 1974, sipas dokumenteve arkivore, udhëheqja e kohës zbuloi dhe dënoni “grupin puçist” në Ushtri, ku tre gjeneralë, njëkohësisht tre drejtuesit kryesor të ushtrisë, Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, muaj më pas, u pushkatuan. Njëkohësisht, si pjesëtarë të këtij “grupi armiqësor”, dhjetëra gjeneralë e oficerë të tjerë madhorë u dënuan me burgime të gjata e internime familjare. Ishte koha ku vendi përballej me një izolim të paparë e total ndërkombëtar dhe “grupet armiqësore” në vend do të ndiqnin njëri-tjetrin. Radhën e pati “grupi armiqësor” në kulturë, ku drejtues të kësaj fushe e krijues të njohur si Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Dashnor Mamaqi etj., do të përfundonin në pranga e do të dënoheshin, gjithashtu, me burgime të gjata. Ndërsa Festivali i 11-të i Këngës në Radio-Televizion, shënoi një ndëshkim masiv jo vetëm ndaj tendencave bashkëkohore në muzikë e art, por dhe ndaj krijuesve e interpretuesve më në zë të fushave të ndryshme të artit e të kulturës në vend.

FURTUNË MBI LIBRAT DHE KRIJUESIT

Në vitin 1975, sipas dokumenteve arkivore dhe dëshmive, Enver Hoxha dhe udhëheqja e kohës ndërmarrin një hap tjetër për thellimin e luftës ndaj krijuesve e ndaj librit. Kështu, sipas arkivave zyrtare (AQSH, ”Vendimi për heqjen e librave nga qarkullimi”, viti 1975, një vendim i posaçëm u dërgohet ishKomiteteve të Partisë së Punës së Rretheve për zbatim. Ky vendim, shoqërohej me një listë për heqjen e shumë librave nga qarkullimi. Më parë ishte dhënë goditja ndaj njerëzve të kulturës, arsimit dhe artit, ndërsa kjo ndaj librit ishte goditje në vijim e thellim. Librat e Frederik Rrepshjes përfundojnë me tituj, të udhëzuar për t’u kthyer në karton. Shkaku ishte “për faj të qëndrimit të autorit”. Si ky ishin edhe shumë shkrimtarë të tjerë, si dhe komunistë, të cilët në vitin 1975 përfshihen në Qarkoren e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës mbi heqjen e librave nga qarkullimi. Ky vendim i përcillet gjithë ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore, bibliotekave dhe ndërmarrjes së librit.

Cili ishte shkaku i zhdukjes së këtyre librave?

Edhe pse i paprecedent në të gjithë Europën, përfshi edhe vendet e Lindjes, siç del nga urdhri shtetëror (pas vendimit përkatës të Byrosë Politike), udhëheqja nuk e fsheh shkakun dhe qëllimin e ndëshkimit të rëndë ndaj krijuesve (me mohim të së drejtës të botimit, internime, burgime e deri ekzekutime) si dhe ndaj librit (me bllokime, magazinime e deri asgjësime): “Autorët – thuhej ne qarkore-nuk përkrahin vijën e Partisë në krijimtarinë e tyre, ndërsa librat janë të dëmshëm në edukimin komunist të masave!”. Urdhri qarkore jepte deri dhe hollësi e detaje të veçanta. Sipas tij, për të gjithë librat që do të fshihen nga qarkullimi udhëzohej të ruheshin të mbyllura në Bibliotekën Shtetërore në fond të rezervuar, ndërsa libraritë dhe bibliotekat e kategorive të tjera t’i dorëzonin ato lloje librash me proces-verbal të rregullt në Degët e Librit dhe të Filmit në rrethe, të cilat po me proces-verbal i dorëzonin për karton. Urdhri për djegien e librave

Urdhri për djegien e librave

Pas vendimit të posaçëm të ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës (AQSH, po aty), del Qarkorja e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës e firmosur nga zëvendësministri Mantho Bala. Në fakt, urdhri apo qarkorja e firmosur nga titullari i Arsimit, është i njëjti vendim që ka marrë Byroja Politike e Partisë Punës së Shqipërisë. Për fat të keq, ashtu siç kishte ndodhur dhe më parë e do të ndodhte dhe me “armiq” të tjerë në të ardhmen, edhe Mantho Bala, firmosësi i këtij vendimi, do të kishte fatin e dhimbshëm, atë të ndëshkimit. Ja teksti i plotë i Qarkores, marrë nga arkivat zyrtare, (AQSH. “Vendimi për heqjen e librave nga qarkullimi”, viti 1975) të kohës: Republika Popullore e Shqipërisë

Ministria e Arsimit, Drejtoria e Botimeve, Nr.3237 Prot., Tiranë, më 15.09.1975, Lënda: Heqje librash nga qarkullimi. Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit (seksionit te arsimit). Gjithë ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore.

Drejtorisë së Përgjithshme të PTT-s.

Bibliotekave Qendrore, Ndërmarrjes së Librit Tiranë. Të hiqen nga qarkullimi librat e poshtëshënuara:

1. A.Këllezi: Fjala e mbajtur në Kongresin e V të PPSH, 1966

2. A.Këllezi: Rritja e rendimentit të punës dhe forcimi i disiplinës shtetërore. Diskutim në Kongresin e I-rë të PPSH, 1971

3. K.Theodhosi: Fjala e mbajtur në Kongresin e IV të PPSH, 1961

4. K.Theodhosi: Fjala e mbajtur në Kongresin e V të PPSH, 1966

5. K.Theodhosi: Industria Mekanike dhe progresi teknik. Diskutim në Kongresin e VI të PPSH, 1971

6. K.Theodhosi: Raport i mbajtur në Plenumin e III-të të PPSH, 1967

7. R.Xhangolli: Fronti demokratik, armë e fuqishme në duart e Partisë për ndërtimin e socializmit dhe për mbrojtjen e masave. Kumtesë në Konferencën Kombëtare të Studimeve Shoqërore, seksioni i Historisë së PPSH-së, 1973

8. Të gjithë librat ku përmenden Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi dhe Ramadan Xhangolli.

9. A.Zaka: “Buzë dashurive”, 1972 (për shkak të qëndrimit të autorit)

10. Frederik Rreshpja: “Në këtë qytet”, “Rapsodi shqiptare”, “Erenda”, “Trofta hutaqe”, “Trimi i fshatit të Bardhë”, “Zëri i largët i kasolles” (për shkak të qëndrimit të autorit)

11. “Bredhi i bardhë”, 1971 (përmban një tregim të T.Lubonjës i dënuar për faje politike)

Këto libra, Bibliotekat Shtetërore të Rretheve t’i mbajnë në fond të rezervuar, ndërsa libraritë dhe bibliotekat e kategorive të tjera t’i dorëzojnë me proces-verbal të rregullt në Degët e Librit dhe të Filmit në rrethe, të cilat po me proces-verbal t’i dorëzojnë për karton. Zëvendësministri Mantho Bala

Vazhdon lufta ndaj librit dhe krijuesve

Pas kësaj Qarkoreje të firmosur nga zëvendësministri, Mantho Bala, precedenti dënoi edhe Manthon, edhe ministrin e arsimit Thoma Deliana dhe gjithë stafin drejtues apo politik të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Kështu e pësuan edhe shumë nga njerëzit e artit e të kulturës. Persekucion, internim, dënim, shkatërrim. Dhe kjo histori përsëritej, sa herë që Partia dhe Sigurimi i Shtetit komunist “zbulonin armiq të rinj”, “tradhtarë” dhe të “shitur” tek imperializmi dhe social-imperializmi. Ata lloje njerëzish përfunduan në burgje, internime, madje edhe në vrasje, ndërsa librat e botuar prej tyre digjeshin me vendime të turpshme, si në kohën e Inkuizicionit mesjetar. Ndër ndëshkimet më të rënda në art e kulturë mbeten pushkatimi i dy poetëve, Vilson Blloshmi e Genc Leka, si dhe varja e tërheqja zvarrë nëpër qytet e poetit kuksian, Havzi Nela.

/Gazeta Panorama

Artikulli paraprakPresidenti ukrainas bën bilancin e konfliktit të përgjakshëm: 43,000 ushtarë janë vrarë gjatë luftës me Rusinë
Artikulli tjetërSi mund të trajtohet dhuna me bazë gjinore në Ballkanin Perëndimor