Një ditë pasi Sekretari i Përgjithshëm, njëkohësisht bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj zbuloi tre propozimet e Partisë Demokratike për ndryshimet zgjedhore, ka reaguar kreu i kësaj partie, Lulzim Basha.
Në mesin e disa nismave të rëndësishme që janë depozituar gjatë kësaj jave, Basha e vendos theksin te Reforma Zgjedhore, e cila kërkon hapjen e listave, krijimin e një zone zgjedhore dhe mundësimin e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë.
“Me këto propozime, listat e kandidatëve për deputetë çlirohen nga kontrolli i kryetarëve të partive, duke i dhënë mundësinë qytetarëve të zgjedhin drejtpërdrejtë deputetin që duan dhe duke rikrijuar lidhjen ndërmjet votuesit dhe deputetit, të cilat u shkëputën nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.
Përmes propozimit Shqipëria 1 zonë zgjedhore krijohet barazia e votës së qytetarëve duke eliminuar difererencat ndërmjet qyteteve të ndryshme. Kështu vota do të ketë të njëjtën vlerë, si për qytetarin e Kukësit dhe të Fierit, të Tiranës dhe të Vlorës.
Me propozimin për votën e diasporës, u kthejmë, pa asnjë kufizim, shtetasve shqiptarë me qëndrim të përhershëm, apo të përkohshëm jashtë Shqipërisë, të drejtën e tyre kushtetuese të zgjedhjes së përfaqësuesve në Kuvend. Në përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shqiptarët jashtë Shqipërisë do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës në vendin ku ata jetojnë.
Këto nisma, të cilat ne i kemi konsultuar paraprakisht me qytetarët, kanë një mbështetje maksimale, prandaj tani është momenti që dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve ta shndërrojmë në ligj për t’u dhënë atyre fuqinë e vërtetë në përcaktimin e deputetëve dhe qeverisë së ardhshme”, shkruan kreu i PD-së në Facebook.