Komisioni elektoral në PD ka marrë vendimin që listat e anëtarësisë së PD të jenë të disponueshme në çdo degë të PD për kandidatët për kryetar të PD, si dhe për anëtarësinë. Ky është vendimi që kërkohej me ngulm nga Selami, si dhe Patozi, i cili tha se u tërhoq pasi kjo kërkesë e tij nuk ishte pranuar. Gjithsesi, listat nuk mund të bëhen publike për këdo, pasi kjo do të sillte një shkelje të privatësisë të anëtarëve të PD, pa dijeninë e të cilëve askush nuk mund të vendosë nëse do t’i bëhet publik emri apo jo.
Procedura e plotë
Në respektim rigoroz të afatit 5 ditor para datës së zgjedhjeve të 22 korrikut 2017, të përcaktuar në Udhëzimin Nr. 1, datë 04.07.2017, dje mbasdite u mblodh Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale.
Në këtë mbledhje të datës 17.07.2017, Komisioni mori vendimet përkatëse për komisionet e votimit dhe vendet e votimit për të gjitha degët. Sipas këtij vendimi është përcaktuar përbërja e 73 komisioneve të votimit dhe vendvotimet për 68 degët e Partisë Demokratike.
Siç vërehet ka 5 komisione votimi më shumë se numri i degëve, për arsye se 5 degë të Partisë Demokratike (Shkodër, Elbasan, Fier, Durrës dhe Kamëz) për efekt të numrit të madh të anëtarësisë kanë nga dy komisione votimi.
Të 73 komisionet kanë në përbërje të tyre nga 73 përfaqësues të propozuar prej secilit nga kandidatët në garë.
Po në mbledhjen e datës 17.07.2017, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, mori vendimin për listat përfundimtare të votimit. Në fillim të procesit të zgjedhjeve për kryetar në PDSH, kemi deklaruar se regjistri elektronik i anëtarësisë së PDSH-së përmbante 103,200 anëtarë. Sot listat përfundimtare të votimit të miratuara, kanë një total prej 103,952 anëtarësh. Ndryshimet që u miratuan në Komision, konsistojnë në:
– Janë shtuar 1,557 anëtarë në listat shtesë, nga persona që janë paraqitur pranë degëve të PDSH-së me karta anëtarësie ndër vite, por që nuk ishin përditësuar në regjistrin elektronik, në përputhje me pikën 8/b të Udhëzimit Nr. 1, datë 04.07.2017.
– Janë shtuar 112 anëtarë në 5 degë të Partisë Demokratike, që kishin formular dhe dokument anëtarësie të para datës 28.06.2017, por që rezultonin të pahedhur në sistem.
– Janë hequr nga regjistri elektronik 607 anëtarë, që kanë dërguar zyrtarisht 14 degë të Partisë Demokratike për arsye të kalimit të tyre legalisht në parti të tjera.
– Si dhe 310 anëtarë që në 4 vitet e fundit rezultojnë se nuk jetojnë më.
Për të gjitha këto të dhëna ka dokumente të shkruara zyrtare që gjenden dhe do të ruhen në protokollin dhe arkivin e selisë qendrore të PDSH-së.
Theksojmë se në listën përfundimtare të votimit janë të përfshira dhe tre kategori anëtarësh me mundësi të kufizuara për të votuar. Këta janë anëtarë të PD-së në degët e saj në Selanik, Athinë, Romë, Milano, Belgjikë, Londër etj.
Anëtarë të PD-së të regjistruar online si të tillë nga jashtë Shqipërisë, si dhe disa mijëra anëtarë të larguar në emigracion në 3 vitet e fundit. Sipas të dhënave operative të marra nga degët e Partisë Demokratike, numri i tyre shkon rreth 23,000 anëtarë. Ata do të vazhdojnë të mbeten në listat e anëtarësisë së Partisë Demokratike pavarësisht mundësive aktuale të kufizuara për të qenë pjesë e proceseve elektorale në parti dhe jashtë saj.
Sot, degëve të Partisë Demokratike, do t’u dërgohen zyrtarisht listat e komisioneve të votimit dhe vendet e votimit të miratuara, si dhe do t’u përcillen elektronikisht listat përfundimtare të votimit. Në këto lista, në selinë qendrore të Partisë Demokratike dhe në të 68 degët e saj, kanë akses të plotë: çdo anëtar i PD-së, gjithë drejtuesit e strukturës qendrore dhe lokale të PD-së, anëtarët e komisioneve të votimit dhe me përparësi përfaqësuesit e kandidatëve në këto komisione.
Komisioni OKOE gjithashtu ka marrë vendimet e duhura për gjithë logjistikën e nevojshme. Në datën 21 korrik kryetarët e 73 komisioneve të votimit në prani të detyrueshme të dy anëtarëve përfaqësues të kandidatëve do të tërheqin pranë Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, listat e printuara të votimit që do të jenë të njëjta me listat elektronike që do t’u përcillen sot degëve të PD-së, vulat zgjedhore me numrat përkatëse, kutitë e votimit me kodet përkatëse, dhomat e fshehta të votimit, si dhe të gjithë formularët dhe procesverbalet që nevojiten për hapjen dhe mbylljen e votimit.
Degët e Partisë Demokratike kanë marrë me shkrim nga Komisioni OKOE të gjitha udhëzimet e nevojshme për ecurinë e procesit, njoftimin e anëtarësisë, lehtësimin e transportit të anëtarëve që jetojnë larg qendrave të votimit, krijimin e kushteve normale në votim dhe krijimin e të gjitha mundësive për të patur një proces të drejtë, të qetë dhe të zhvilluar në kushte të plota sigurie.
Çdo degë do ketë një qendër votimi
Komisioni ka vendosur që kryesitë e degëve të PD në rrethe janë përgjegjëse për organizimin e votimit që do të zhvillohet më 22 korrik. Çdo degë ka një qendër votimi. Ambientet ku do të kryhet votimi do të miratohen nga ky komision, sipas propozimeve që do të vijnë nga degët, jo më vonë se 12 korriku. Në selinë qendrore do të ngrihet qendra e degës nr. 2, ku do të votojnë përveç anëtarëve të thjeshtë, edhe anëtarët e Kryesisë, anëtarët e Këshillit Kombëtar, deputetët e vjetër e të rinj. Deputetët e rinj kanë të drejtë të votojnë dhe në vendet ku ata janë me banim. Në çdo qendër votimi do të ngrihet një komision që e miraton kryesia e degës, kryetar do të jetë një nga n/kryetarët e degës dhe dy anëtarë, dhe nga një përfaqësues për secilin kandidat.
Statuti i PDSH dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij, si dhe organizmat e PDSH garantojnë garë të ndershme, të drejtë dhe të barabartë për këdo që dëshiron të kandidojë.
Që nga data 28.06.2017 në PDSH nuk ka patur dhe nuk do të ketë anëtarësime të reja derisa të përfundojë procesi i zgjedhjes së kryetarit të saj.
Listat e anëtarësisë administrohen sipas Statutit dhe rregullave të përmendura më sipër. Çdo degë e PDSH ku do të votohet për Kryetarin e PDSH do të marrë në avancë në përputhje me vendimin e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale kopje të listës së anëtarësisë të degës së saj, të cilën ajo e disponon edhe në degë. Listat e votimit sipas përcaktimeve në Statut do të administrohen nga Komisioni i Votimit, i cili kryesohet nga kryetari ose sekretari i degës dhe anëtarë të tjerë që i zgjedh Kryesia e Degës. Çdo kandidat do të ketë vëzhgues në çdo komision votimi.
Çdo degë e PDSH administron databazën e anëtarësisë së saj. Çdo ndryshim në databazën në qendër bëhet vetëm me kërkesën zyrtare të degës shoqëruar me dokumentacionin e plotë të anëtarit që shtohet apo largohet.