Liverpool eliminon Tottenham

Liverpool fluturon në çerekfinalet e Kupës së Ligës në Angli. “Reds” u kualifikuan pas fitores 2-1 në “Anfield Road” përballë Tottenham, në një duel spektakolar që dhuroi emocione deri në fund, pavarësisht se të dyja ekipet kishin aktivizuar shumë lojtarë të rinj. Sfida u vendos nga Daniel Sturridge, me sulmuesin britanik që realizoi dy golat e Liverpool, ndërsa Tottenhamit nuk i shërbeu 11-metërshi i shënuar nga Janssen në 15 minutat e fundit.
Skuadra e Klopp vazhdon rrugën drejt finales në “Wembley”, me synimin që të hedhë poshtë zhgënjimin e vitit të kaluar, ku u mposht në sfidën për trofeun nga Manchester City.
Kualifikohet edhe Arsenali, që me ekipin e rezervave fitoi 2-0 përballë Reading, skuadër që militon në Cahmpionshipin anglez. Oxlade-Chamberlain kaloi në avantazh “Topçinjtë” pas gjysmë ore lojë, ndërsa në pjesën e dytë vulosi edhe suksesin e skuadrës së Venger.
Newcastle shkatërroi Preston North End me shifrat 6-0, duke u kualifikuar pa probleme mes tetë ekipeve më të mira të turneut. Në ndeshjet e tjera, Hull City vazhdoi më tej pas suksesit 2-1 në fushën e Bristol City, ndërsa Leeds u kualifikua 3-2 pas penalltive me Norwich, me kohën e rregullt dhe shtesën që përfunduan në barazim 2-2.

Artikulli paraprakMurinjo: Jetë ferri!
Artikulli tjetërGenoa rikthen Milanin me këmbë në tokë