Liverpool jep “ok” për kalimin e Leiva te Interi

Interi ka që tani në dorë përforcimin e parë të merkatos dimërore. Liverpooli, siç bëjnë të ditur mediat angleze dhe ato italiane, është gati të thotë “Po” për huazimin te zikaltërit të Lucas Leiva, mesfushorit 29-vjeçar nga Brazili. Mbeten për t’u përcaktuar edhe detajet e fundit, por ajo që ka rëndësi është hapja e dritës jeshile nga klubi anglez, miratimi i të cilit konsiderohet tashmë çështje orësh. Lucas Leiva shkon në Milano në huazim me të drejtë blerjeje, por jo të detyrueshme. Tanimë që operacioni të kompletohet pritet vetëm bekimi i kinezëve të Suning me trajnerin Stefano Pioli, që do të ketë shpejt në dispozicion mesfushorin që kërkonte.
Leivas që u transferua te Liverpooli në 2007 nga Gremio, ka qenë pranë Interit dhe në të kaluarën, emri i tij kishte përfunduar në axhendën e merkatos zikaltër, që kur luante në Brazil, ndërkohë që një interesim ka patur edhe kur Interi drejtohej nga Rafa Benitez. Nën menaxhimin e Kia Joorabchiqan, konsulent i Suning, lojtari kishte dhënë miratimin e tij për transferimin në Itali që në ditët e kaluara, dhe për “Po”-në përfundimtare mungonte vetëm miratimi i Jurgen Klopp, trajnerit të Liverpool që në kohët e fundit e ka aktivizuar Lucas Leiva vetëm në minutat e fundit të ndeshjeve, duke e futur nga stoli. Me hapjen e dritës jeshile nga gjermani, për mediat ndërkombëtare transferimi mund të konsiderohet punë e kryer.

Artikulli paraprakNeymar: Nuk luaj futboll për Topin e Artë
Artikulli tjetërChelsi i frikshëm!