Marc Bartra shpreson që Pierre-Emerick Aubameyang t’i thotë jo të gjitha ofertave që kanë mbërritur për të duke qëndruar tek Borussia Dortmund. “Sigurisht që dua të qëndrojë mes nesh, shprehet spanjolli, ai nuk është i rëndësishëm vetëm për golat e tij, por edhe për shpirtin e kësaj skuadre”, tha ai.
Sulmuesi i Borussia Dortmund që po ndiqej prej kohësh nga skuadra e Canavaros, tashmë mund të mendojë për një destinacion europian dhe në radhë të parë për të siguruar shërbimet e tij qëndron Chelsea. Gjithsesi, gjatë orëve të fundit, në garë për afrikanin është futur edhe Milani që kërkon të përfitojë nga kjo situatë. Kuqezinjtë kanë gati 60 mln euro për bomberin, por oferta e Chelsea-t mbetet më e lartë dhe klubi italian duhet të bëjë një tjetër sforcim ekonomik për të afruar në skuadër golashënuesin më të mirë të Bundesligës. Më 18 korrik, Milani do të ndeshet pikërisht me Borussian e Dortmundit në Kinë dhe ajo përballje mund të jetë mundësia e artë që klubi italian të hedhë grepat për të peshkuar Aubameyang.
Gjermanët e Borussias së Dortmundit shpresojnë të vazhdojnë të kenë në mesin e tyre golashënuesin më të mirë të sezonit të shkuar në kampionatin gjerman. Gjithsesi, ashtu sikundër raporton edhe e përditshmja angleze “The Sun”, Liverpooli në këtë merkato qëndron në pole position në garën për sulmuesin nga Gaboni, duke marrë në konsideratë edhe raportin që ekziston mes lojtarit dhe ish-trajnerit të tij Jurgen Klopp. Njëkohësisht skuadra e të kuqve është e gatshme të plotësojë kërkesat financiare të Borussias dhe të sulmuesit francez që kërkon rreth 10 milionë euro në sezon.
Liverpool, Chelsea dhe Milan janë të gjitha skuadra që kërkojnë të përfitojnë shërbimet e 28-vjeçarit, ndërkohë që edhe kinezët e Tianjin Quanjian po konsiderojnë një ofertë prej 80 milionë eurosh për të lindurin në Francë e që luan me kombëtaren e Gabonit, duke shpresuar që të arrijnë sa më parë marrëveshjen me gjermanët e Bundesligës.