Liverpooli nuk e ka grumbulluar brazilianin Philippe Coutinho për takimin e parë të “play off”-eve të Champions League, programuar për t’u luajtur mbrëmjen e së martës në Gjermani ndaj Hoffenheimit.
Braziliani, i cili nuk luajti as në ndeshjen e debutimit në Premier League kundër Watfordit, zyrtarisht thuhet të ketë mbetur jashtë për shkak të problemeve fizike, ndaj dhe nuk është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës gjatë ditëve të fundit. Por lajmi për mosgrumbullimin e tij gjen pasqyrim të gjerë në mediat sportive spanjolle, veçanërisht ato katalanase, nxitur edhe nga fakti që lojtari është vënë nën objektivin e Barcelonës.
Ish-futbollisti i Interit duket se i ka dërguar klubit “kërkesën për t’u larguar”, një supozim që e përforcon edhe konsiderata e trajnerit të “The Reds”, Jurgen Klopp. “Asgjë nuk zgjidhet nga trajneri, vendimet për transferimet e lojtarëve i marrin drejtuesit, ndërsa unë vetëm mund t’i pranoj”. Sipas “Mundo Deportivo”-s, arritja e një marrëveshjeje për transferimin e tij nga “Anfield Road” drejt “Camp Nou”-t duket shumë pranë, ndërsa Barça pritet ta njoftojë blerjen e Coutinhos brenda ditës së enjte ose më saktë një ditë pas ndeshjes së kthimit për Superkupën e Spanjës, me Realin e Madridit në “Bernabeu”.