Liverpooli shkatërron Arsenalin

Liverpool fitoi supersfidën e javës së 3-të në Premier League, duke mundur 4-0 Arsenalin në “Anfield Road” pas një ndeshje që shfaqi dhe njëherë problemet e shumta të topçinjve, ndërsa konfirmoi një tjetër triumf për Jurgen Klopin ndaj Arsen Wengerit, me francezin që në katër përballje me gjermanin nuk ka asnjë fitore. Londinezët u duk sikur kishin ardhur në Liverpool për shëtitje, me “The Reds” që dominuan ndeshjen aq sa goli i Firminos në të 17-ën u duk sikur erdhi shumë vonë, pasi vendasit kishin shpërdoruar vërtetë shumë raste deri në ato momente.
Arsenali jo vetëm që nuk u zgjua nga goli i pësuar, por përkundrazi vazhdoi të vuante lojën e shpejtë të ekipit të Klopit, që në pushim shkoi në epërsi të dy golave falë dhe një finalizimi të përsosur të Manes. Në pjesën e dytë, mbrojtja e Arsenalit u duk sikur nuk ekzistonte aq sa në të 57-të, Mane bëri pothuajse 60-70 metra i vetëm me top në këmbë drejt portës së Cech për të mposhtur për herë të tretë çekun.
Ndeshja u mbyll përfundimisht nga goli i Sturridge në të 77-ën që shfrytëzoi një tjetër vendosje jo të mirë në mbrojtje të londinezëve, që pas kësaj humbje rrëshkasin në fundtabelë, ndërsa Chelsea gjithashtu mori fitoren e dytë radhazi, pasi mundi 2-0 Evertonin në “Stamforde Bridge” në një ndeshje të dominuar, ku blutë nga Liverpool nuk goditën asnjëherë kuadratin e portës. Golat për ekipin e Contes u shënuan të dy në pjesën e parë nga dy spanjollë, Fabregas dhe Morata, në minutat 27-të dhe 40-të.

Exit mobile version