Liverpul eliminohet nga Sauthemptoni

Skuadra e Sauthemptonit ka arritur të realizojë diçka që cilësohej e pamundur deri pak kohë më parë për skuadrën e Klod Pyel, kualifikimin për në finalen e Kupës së Ligës në Angli. Skuadra, e cila ka kaluar në sezonet e fundit, duke luftuar për mesin e tabelës në kampionatin anglez, ka eliminuar favoritët e Liverpulit, duke fituar 1-0 në fushën e tyre, ashtu siç kishte bërë në ndeshjen e parë, për të prenotuar finalen e madhe të Uemblit.
Goli i Redmond në duelin e parë i jepte një avantazh minimal Sauthemptonit, të cilin skuadra e Pyel e mbrojti me dhëmbë gjatë të gjithë takimit, duke i rezistuar ofensivës së vendasve. Ndërsa Liverpuli përpiqej dëshpërimisht të barazonte rezultatin në fundin e ndeshjes, një kundërsulm i shpejtë i dha mundësinë Shein Long të shënonte golin e fitores edhe në këtë transfertë në minutën e parë shtesë.
Sauthempton arrin të kualifikohet për herë të dytë në finalen e Kupës së Ligës, ku kishte luajtur më parë edhe në sezonin 1978-1979.

Exit mobile version