Liverpul gjen akordin me Salah

Mohammed Salah tashmë mund të konsiderohet në kuptimin e plotë të fjalës një futbollist i Liverpulit. Mediat angleze kanë bërë publik akordin mes Romës dhe klubit të kuq për transferimin në “Anfield Road” të sulmuesit egjiptian. Salah, i cili aktualisht ndodhet me pushime në Cairo, ka prerë biletën e avionit për të udhëtuar drejt Liverpulit, për të firmosur kontratën dhe për t’u prezantuar zyrtarisht si futbollisti i The Reds.
Kartoni i 25-vjeçarit do t’u kushtojë arkave të Liverpulit 39 milionë paund përfshirë edhe bonuset, për një operacion total që kap shifrën e 44 milionë eurove. Salah është blerja e parë e madhe e Liverpulit në këtë merkato. Futbollisti egjiptian pritet të nënshkruajë një kontratë afagjatë me 19 herë kampionët e Anglisë, nga e cila do të përfitojë 90 mijë stërlina në javë, rreth 5,5 milionë euro në sezon.
Me shitjen e Salah te skuadra angleze, Roma arriti të përfitonte në total 24 milionë euro, sepse për të blerë kartonin e egjiptianit dy vite më parë shpenzoi 20 milionë euro. Ish-lojtari i Baselit dhe Chelsea-t zhvilloi në total 41 ndeshje me skuadrën verdhekuqe në sezonin e fundit duke realizuar 19 gola.

Artikulli paraprakDështimi i Financave me investimet publike
Artikulli tjetërManchester United zhgënjen Interin për Perisiç