Liverpul në shënjestrën arabe

Premier League po përgatitet të presë një tjetër sheik. Këtë radhë bëhet fjalë për Liverpulin që është vënë nën shënjestrën e një prej anëtarëve të familjes Mansur nga Abu Dhabi. Lajmi bëhet i ditur nga tabloidi britanik “Daily Star”, sipas të cilit ky investitor është gati të japë më shumë se 700 milionë paundë për të mbyllur përfundimisht çështjen e blerjes së The Reds. Gjithnjë sipas “Daily Star”,  ky sheik një muaj më parë nisi bisedimet për këtë transaksion, duke bërë edhe propozimin e tij.
Për momentin, identiteti i këtij investitori nuk bëhet publik, por flitet se ai është Sheiku Kalifa, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe. Pasuria e këtij të fundit vlerësohet 30 miliardë paund shifër, kjo shumë më e lartë se, pasuria që zotëron pikërisht vëllai i tij, Sheiku Mansur që në vitin 2008 bleu klubin e Manchester Cityt, duke bërë investime marramendëse në të.
Klubi i Liverpul vlerësohet me 650 milionë paund dhe në këtë moment pronar i tij është kompania amerikane e investimeve, Fenway Sports Group. Kjo e fundit e bleu “The Reds” në tetor të vitit 2010 për 300 milionë paundë dhe që nga ai moment vlera e Liverpulit është rritur vazhdimisht.
Vitin e kaluar; revista “Forbes” e klasifikoi Liverpulin në vendin e 8 në renditjen e klubeve më të vlefshme të botës. Blerja e Liverpulit nga sheiku është një rritje e mundësive për investime të mëdha që do të thotë se, Klopp do të ketë në dispozicion një fond të konsiderueshëm për të bërë shpenzime në merkaton e transferimeve, ku objektivi kryesor i anglezëve është Robert Lewandowski i Bajernit të Mynihut.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërHiddink akuzon lojtarët: Mendojnë për Europianin