Liverpuli është duke avancuar në bisedimet për një marrëveshje me mbrojtësin e Bornmëthit, Milos Kerkez. Ata po diskutojnë një tarifë transferimi me “Qershitë” dhe janë gjithashtu pranë marrëveshjes për kushtet personale me mbrojtësin e majtë 21-vjeçar, sipas ekspertit italian të merkatos, Fabricio Romano.
Kerkez do të bëhej blerja e dytë e kampionëve të Anglisë këtë verë, pas mbrojtësit të krahut të djathtë të Bajer Leverkusenit, Xheremi Frimpong, i cili dje ndodhej në Angli për të kaluar vizitat mjekësore.
Frimpong ka rënë dakord për një kontratë pesëvjeçare me skuadrën e Arne Slotit dhe klubi ka aktivizuar klauzolën e tij të lirimit prej 29.5 milionë paundësh (35 milionë euro), pasi e shikonte 23-vjeçarin si kandidatin më të mirë për të zëvendësuar Trent Aleksander-Arnoldin. Sipas “The Times”, Bornmëthi thuhet se ka vendosur një çmim prej 45 milionë funtesh për kartonin e Kerkezit, i cili konsiderohet një nga asetet e tyre më të çmuara. Shpenzimet e Liverpulit për mbrojtësit e krahut mund të arrijnë kështu në gati 75 milionë paund.
Skuadra e Andoni Iraolës do të ngurrojë të humbasë një lojtar që ka qenë një nga futbollistët e tyre më të mirë gjatë dy sezoneve të fundit dhe i cili ka ende tre vjet të mbetura në kontratën e tij. Por ai ka tërhequr vëmendjen e një mori klubesh të mëdha dhe nëse Liverpuli e transferon atë, ata do të mposhtnin skuadra si Mançester Junajtid.
Kerkez ka shënuar dy gola dhe ka dhënë gjashtë asiste këtë sezon. Ardhja e serbit në “Anfield” do ta linte të pasigurt të ardhmen e Endi Robertsonit dhe Kostas Cimikasit. Mbrojtësi skocez ka nisur të mos e ketë më të sigurt vendin e titullarit pas 8 sezonesh dhe tani që është në moshën 31-vjeçare. Pas një faze përgatitore të dobët, ngarkesa e punës së Robertsonit ka pasur nevojë për menaxhim, megjithatë ai ka vazhduar të bëjë 44 paraqitje në të gjitha kompeticionet, 37 prej të cilave i ka luajtur si titullar.
Ato janë më shumë se Kerkez, i cili mbërriti në Bornmëth për 15 milionë paund nga skuadra holandeze AZ Alkmarit dy vjet më parë. Kerkez e filloi karrierën e tij te moshat e Milanit, përpara se t’i bashkohej AZ në janar të vitit 2022. Drejtori sportiv i Liverpulit, Riçard Hjuxhs, ishte drejtor teknik i Bornmëthit në kohën kur klubi i bregut jugor rrëmbeu lojtarin e kombëtares hungareze.
Bornmëthi ngurron të shesë yjet e tyre më të mirë, por klubi është i ndërgjegjshëm se ata mund të kenë pak shanse për të zgjedhur në këtë çështje. Presidenti amerikan Bill Folej ka sugjeruar se nuk do t’i pengojë nëse ata zgjedhin të largohen. Reali i ka paguar tashmë klauzolën 50 milionë paund qendërmbrojtësit Din Huijsen.