Llafet e Ramës dhe projektet e Vuçiçit

Nga Sebastian Zonja

Një shpjegim i shkurtër për vizitën e liderit kinez Shi Xhinping në Hungari dhe Serbi:

Një ndër projektet e mëdha që po financon Kina është Rruga e Mëndafshit. Duke ndërtuar hekurudha, porte dhe autostrada, gjiganti aziatik synon të vijë në zemër të tregut të madh evropian, Berlinit. Një nga rrugët në këtë pjesën tonë të Evropës është me anë të Danubit. Rruga ujore Danub -Moravë – Vardar – Deti Egje faktorizon Serbinë dhe Hungarinë, sepse të dy nuk kanë dalje në det.

Serbët e kanë si projekt gati. Ndërtimi i rrugës ujore të lundrueshme nga Danubi në Selanik konkuron me itinerarin Danub, Deti i Zi deri në detin Egje, teksa transporti lumor ka më shumë përparësi ndaj atij hekurudhor dhe rrugor, sepse ul kostot dhe ka avantazhe të mëdha në ngarkim dhe shkarkim, magazinim dhe mirëmbajtje të llojeve të ndryshme të mallrave si dhe sigurinë e tyre në tranzit. Po të lidhet me rrjetin evropian të kanaleve ujore dhe arterien Rin – Main – Danub, kanali Moravë – Vardar do të sjellë faktorizim të Serbisë dhe Hungarisë si dhe rritje të madhe të përfitimit ekonomik të Evropës Lindore dhe Perëndimore me fokus Greqinë, Serbinë dhe Hungarinë.

Nëse do të kishte sadopak strategji, qeveria shqiptare do të kishte përfunduar ndërtimin e Korridorit 8, autostradës dhe hekurudhës deri më Nish dhe portin e madh të Durrësit. Të gjitha këto janë konform strategjisë evropiane dhe amerikane që e cilësojnë Kinën kundërshtar tregtar. Faktorizimi i portit të Durrësit vjen si konkurencë me portin e Pireut në Greqi që kanë blerë kinezët. Me anë të autostradës dhe hekurudhës deri më Nish dhe më tej, çelësin në dorë për tregtinë ballkanike do të kishte Tirana, ndaj Serbia dhe Hungaria do detyroheshin të dilnin nga Durrësi, jo nga Greqia. Vendi ynë do të fitonte peshë të re gjeostrategjike në rajon. Kroacia, strategjikisht është pro një projekti të këtillë. BE-ja po ashtu. Amerikanët kanë dhënë sinjale pozitive. Ndërkohë, të gjitha këto mbeten në letër sepse kemi pasur kryeministër Sali Berishën dhe sot kemi Edi Ramën.

Exit mobile version