Llalla: Hetim për 120 tonelatat e drogës në Manzë dhe Ishëm

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka drejtuar gishtin nga Policia e Shtetit për trafikimin gjithnjë e në rritje të drogës nga Durrësi drejt brigjeve italiane. Llalla zhvilloi një takim urgjent ditën e djeshme në Prokurorinë e Durrësit, pas deklaratave të liderit të opozitës, Lulzim Basha se, në Manzë dhe Ishëm ndodhen dy magazina me 100 ton dhe 20 ton drogë.
Gjatë një takimi në Prokurorinë e Durrësit, kryeprokurori Llalla u shpreh se, Porti i Durrësit është kthyer në një portë për trafikimin e lëndëve narkotike në mënyrë të vazhdueshme drejt vendeve të BE-së. “Tashmë jemi të qartë se, Porti i Durrësit është kthyer në një vend nga i cili transportohet në mënyrë të vazhdueshme lëndë narkotike. Prokuroria e Durrësit duhet të intensifikojë hetimet në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike”, deklaroi Llalla.
Llalla deklaroi se, kanë nisur hetimet për ata persona përgjegjës që lejojnë trafikun e drogës, duke lënë të nënkuptohet se po hetohen drejtues të policisë dhe të pikës së kalimit kufitar në Portin e Durrësit. “Kemi nisur hetimet për personat që lejojnë kanabisin të eksportohet drejt Italisë. Po trafikohet drogë në mënyrë të vazhdueshme”, u shpreh për mediat Llalla.
Gjatë takimit në Prokurorinë e Durrësit, Llalla shoqërohej nga drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj. Pak ditë më parë, në bazë të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë e Antimafias së Leçes, u zbulua një grup që trafikonin lëndë narkotike nga Gjiri i Lalëzit në drejtim të Brindizit. Kryeprokurori Llalla konfirmoi se po hetohet për trafikun e ri të drogës nga Gjiri i Lalzit drejt Italisë. “Të gjitha këto raste janë në proces hetimi”, tha Llalla.
Dy ditë më parë, lideri i opozitës Basha deklaroi se, vetëm 30 kilometra larg nga Tirana, ndodhet një magazinë me 100 tonë drogë, e cila është në pronësi të drejtorit të Policisë së Durrësit, Perlat Cullhaj. Basha tha se, për këtë janë në dijeni Rama, ministri i tij i Brendshëm, ish-ministri Saimir Tahiri, por nuk mund të flasin, sepse nuk janë ata që kontrollojnë krimin, por krimi që kontrollon ata.
Kreu i organit të akuzës tha se, kanë nisur hetimet pas deklaratës së kreut të opozitës, Lulzim Basha për një magazinë me 120 tonë drogw në Durrës. “Bashkë me Ministrinë e Brendshme kemi nisur hetimet për zbulimin e sasirave të mëdha të drogës në Durrës”, deklaroi Llalla.

18.2 tonë drogë në 3 muaj nga Durrësi në Ankona

Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti kanë kaluar nga Durrësi drejt Italisë më shumë se 18 tonë drogë. Sasia më e madhe e drogës kaloi nga Porti i Durrësit në fillim të muajit shkurt. Një kamion me 8 ton drogë, pasi kaloi lirisht në Portin e Durrësit u bllokua nga policia italiane në Portin e Ankonës. Ndërsa në muajin mars u futën me gomone nga brigjet e Durrësit më shumë se 8 ton drogë në Bari dhe Brindizi. Droga u sekuestrua nga Guarda di Finanza italiane në tre operacione të ndryshme. Rasti më i freskët ishte ai i para pak ditëve, ku përsëri u futën 2.2 ton drogë nga Porti i Durrësit në Ankona të Italisë.
Për të gjitha këto raste të trafikut të tonelatave të drogës nga Durrësi në Ankona, nuk ka patur asnjë të arrestuar nga zyrtarët përgjegjës, si në pikën e kalimit kufitar ashtu edhe në Policinë e Durrësit. Asnjë masë nuk është marrë ndaj drejtorit të Policisë Portit dhe drejtorit të Policisë së Qarkut të Durrësit, Perlat Çullhaj, i cili njihet si një nga drejtuesit e trafikut të drogës.
Drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit, Perlat Çullhaj mban përgjegjësi direkte për kalimin e tonelatave të drogës drejt Italisë nga deti dhe ajri, por ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa nuk ka marrë asnjë masë ndaj tij.
Vetë ministri Xhafa është i implikuar në 8 tonelatat e drogës që kaluan lirisht me kamion nga dogana e Qafë Thanës në Portin e Durrësit dhe u bllokuan në Ankona. Njëri nga 4 doganierët e arrestuar në doganën e Qafë-Thanës nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për lejimin e kalimit të kamionit me 8 ton drogë drejt Italisë ishte nipi të bashkëshortes së ministrit Xhafa. Ndërkohë, mediat italiane shkruajnë përditë se, tonelata me drogë vijnë papushim nga Shqipëria në Itali përmes Adriatikut.

R.POLISI

Exit mobile version