PD ka paralajmëruar sot ministrin e Brendshëm, Lleshaj se do të mbaj përgjegjësi për aktet e dhunës ndaj protestuesve dhe i ka kërkuar Prokurorisë të hetojë urdhrin për dhunën shtazarake të dhënë nga Lleshaj me urdhër direkt të Ramës.
“Sandër Lleshaj dhe çdo bandit me uniformë që zbaton urdhrat e tij të paligjshëm për të goditur opozitën, do të mbajnë përgjegjësi personale. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet.”, tha Alibeaj.
DEKLARATA E ENKELEJD ALIBEAJ
Partia Demokratike dënon me ashpërsi dhunën kriminale të policisë kundër protestuesve të shtunën dhe kundër sekretarit organizativ Sahit Dollapi. Sandër Lleshaj, ky mbeturinë tranzicionit shqiptar do të mbajë përgjegjësi personale për urdhrat e paligjshëm që i ka dhënë policisë për goditjen e qytetarëve me gaz helmues luftarak dhe për përdorimin e dhunës fizike kundër protestuesve paqesorë.
Partia Demokratike disponon të dhëna të mjaftueshme për ta çuar sadistin Sandër Lleshajn para drejtësisë për shkelje flagrante të ligjit të policisë së shtetit! Prokuroria duhet të nisë hetimet e menjëhershme për të provuar se urdhri për dhunën shtazarake kundër qytetarëve është dhënë nga Sandër Lleshaj me porosi të Edi Ramës.
Sandër Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi dhe krimineli tjetër me uniformë Arben Baro duhet të shkarkohen nga detyra dhe të hetohen menjëherë.
Ka prova filmike se Sandër Lleshaj, i cili në shkelje të ligjit komandon operacionet e policisë kundër opozitës, është duke u larguar si hajdut nga dera dytësore e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pasi njoftohet të shtunën në mbrëmje për zhvendosjen e protestës së opozitës.
Bashkimi ynë në marshimin e protestës sot ne oren 18:30, për zgjedhje të lira e të ndershme të garantuara nga një qeveri e përkohshme pa kryehajdutin Edi Rama, është beteja e vërtetë europiane, që e nxjerr Shqipërinë nga udhëkryqi i rrezikshëm dhe siguron stabilitet afatgjatë për vendin.
Ne jemi sot ne krah të popullit për t’i thënë Edi Ramës dhe kujtdo tjetër që ka vendosur të ndjekë rrugën e dhunës dhe të destabilitetit, se shqiptarët e bashkuar dhe opozita nuk gjunjëzohen përpara dhunës shtazarake të një qeverie që ka ardhur në pushtet me votat e blera me krimin e organizuar.