Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka nisur reprezaliet ndaj banorëve të Kukësit. 13 persona janë proceduar penalisht në gjëndje të lirë pasi morën pjesën në protestën kundër kryeministrit Edi Rama ditën e djeshme në Kukës.
Në njoftimin e policisë së Kukësit thuhet: Në lidhje me protestën e paligjshme, të zhvilluar më datë 05.04.2019, të organizuar nga subjekti politik PD Kukës e Has, në vendin e quajtur “Ura e Drinit të Zi” janë proceduar në gjendje të lirë 13 shtetas, të moshës nga 28 – 60 vjeç, nga Kukësi e Hasi.
Procedimi ndaj tyre filloi pasi, kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, si dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit.
Materialet për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.