Azdren Llullaku protagonist absolut në fitoren e thellë 4-0 të Gaz Metanit ndaj Dinamos së Bukureshtit në javën e 19-të të kampionatit rumun. Futbollisti i Kombëtares Shqiptare realizoi dy herë nga pika e bardhë e penalltisë, duke hapur dhe mbyllur serinë e golave për vendasit, por ajo që vlen të theksohet se në të dy rastet ishte vetë Llullaku që u pengua në zonën kundërshtare. Pas gjysmë ore lojë 28-vjeçari u pengua nga një mbrojtës në hyrje të zonës, me gjyqtarin që nuk hezitoi të akordonte 11-metërsh, ndonëse pamjet e përsëritura tregojnë se ndërhyrja ishte jashtë.
Futbollisti i Kombëtares Shqiptare u tregua i saktë përballë portierit Penedo, duke zhbllokuar sfidën. Në pjesën e dytë për Gaz Metanin realizoi një dygolësh Axente në minutat 77 dhe 81, ndërsa në limitet e kohës së rregullt, Llullaku fitoi një tjetër penallti, të cilën e shndërroi po vetë në gol. Kjo fitore e ngjit Gaz Metanin në vendin e tretë me 34 pikë, 3 pikë më pak se kryesuesit e Steauas së Bukureshtit. Sezoni aktual po rezulton më i miri në karrierën e Llullakut, i cili kryeson edhe listën e golashënuesve të kampionatit rumun me 16 finalizime, thuajse dyfishin e ndjekësit më të afërt, Bud te Kluzhit, që ka shënuar vetëm 9 gola.