Kampionati në Kazakistan ka filluar sot me ndeshjet e javës së parë të tij, por për Azdren Llullakun, gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç shpresonte ai. Pasi humbi Superkupën e Kazakistanit me Astanën pak ditë më parë, futbollisti shqiptar përjetoi një tjetër disfatë, këtë radhë në fushën e Ordabasi, ku skuadra e tij u mposht 3-0.
Ordabasi ishte skuadra me të cilën Luftëtari u përball në fazën përgatitore në Antalja, duke e mundur pas një ndeshje spektakolare ku golat e Abazajt, Ramadanit e Rexhinaldos i dhanë suksesin 4-3 gjirokastritëve. Por Astana me Llullakun nuk kishin të njëjtën saktësi para portës kundërshtare, duke humbur në këtë duel të parë.
Llullaku shpërdoroi disa mundësi të mira shënimi në pjesën e parë, dhe duket se ndjente peshën e gabimeve, të cilat mund të kishin përcaktuar një rrjedhë tjetër për ndeshjen.
“Sot ishte një ndeshje shumë e vështirë. Ne e nisëm ndeshjen mirë, krijuam disa raste. Nëse do të kisha shënuar në fillim të ndeshjes, ndoshta ngjarjet do të ishin zhvilluar ndryshe”, tha Lullaku. “Pas golit të pësuar na u desh të dilnim plotësisht në sulm dhe kundërshtari na ndëshkoi në kundërsulme. Edhe pse kishte raste në të dy portat, ne nuk arritëm të konkretizonim mundësitë tona dhe rivali e bëri një gjë të tillë, ndaj mori tri pikët.
Për ne nuk ishte mënyra më e mirë për të filluar sezonin, por kemi lojtarë me eksperiencë në skuadër. Ndaj jam i sigurt se do të kthehemi edhe më të fortë dhe do të jemi më të suksesshëm që në ndeshjen e radhës”, premtoi sulmuesi, i cili luajti të 90 minutat në këtë duel.