Llullaku firmos me Astanën

Azdren Llullaku është zyrtarisht një futbollist i Astanës. Sulmuesi i kombëtares shqiptare firmosi këtë të premte një kontratë dyvjeçare me skuadrën kampione të Kazakistanit. Nga detajet e marrëveshjes, mësohet se Llullaku do të përfitojë 500 mijë euro në sezon duke përfituar një pagë më të lartë se ajo prej 35 mijë euro në muaj që ishte bërë fillimisht e ditur. Marrëveshja është mbyllur mes futbollistit, menaxherit të njohur Shkumbin Qormemeti dhe drejtorit ekzekutiv të klubit të Astanës, Bekenov Kaisar Raufovic.
Lojtari do të transferohet që këtë janar te skuadra e tij e re pasi në kontratën e Llullakut me Gaz Metanin ishte e parashikuar që në rast të një oferte prej datës 15 dhjetor 2016 deri më 5 janar 2017 klubi rumun do të ishte i detyruar ta linte të lirë futbollistin, siç edhe ndodhi në fakt me 28-vjeçarin që tashmë është gati të nisë një aventurë të re.
Te Astana, Llullaku do të ketë mundësi të luajë dhe në një kompeticion të rëndësishëm europian, pasi me titullin kampion të fituar kampionia e Kazakistanit luan direkt në fazën play off të Champions dhe në rast se nuk arrin të kualifikohet ka të sigurtë gjithsesi pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Europa League, ndaj për sulmuesin kuqezi viti i ardhshëm pritet të sjellë një vitrinë të rëndësishme për të. Nga kontrata e re Lllullaku pritet të përfitojë 15 herë më shumë seç merrte te skuadra e Gaz Metanit, ku ishte jo vetëm kryegolashënues i kampionatit rumun, por gjithashtu dhe pretendent për “Këpucën e Artë” të Europës, ku me 16 gola është mes shënuesve më të mirë në kontinent.

Exit mobile version