Edhe Azdren Llullaku ndez motorët përpara duelit të 24 marsit, që Shqipëria do të luajë në Itali në kualifikueset e Botërorit 2018. Sulmuesi kuqezi realizoi golin e parë me fanellën e Astanës, në Premierligën kazake. Llullaku shënoi golin e dytë në fitoren 3-1 që kampionët në fuqi të Kazakistanit regjistruan në shtëpi përballë Akzhayik. Sulmuesi shqiptar realizoi në të 13-ën, duke u shkëputur bukur nga e majta dhe e kaloi topin mbi portierin, ndërsa dy minuta më parë ishte Kabananga, ai që kishte zhbllokuar shifrat për vendasit.
Tëumasi trefishoi shifrat për Astanën, pasi kishte kaluar një orë lojë, ndërsa në të 65-ën, Akzhayik shënoi golin e nderit me Rubio Kostner, një rrjetë që shërbeu thjesht për statistikë. Kjo ishte fitorja e parë për Astanën në tre javë të luajtura në Premierligën kazake, me kampionët në fuqi që largojnë krizën dhe konfirmuan se janë të gatshëm të mbrojnë kurorën.
Goli i realizuar ka vlera të dyfishta për Azdren Llullakun, sepse përveçse u zhbllokua me skuadrën e tij të re, 29-vjeçari jep sinjale pozitive edhe për Kombëtaren, aty ku konkurrenca në sulm është mjaft e madhe. Kjo për faktin se, përpara ndeshjes me Italinë, përveç Llullakut rrugën e golit e kanë gjetur edhe Armando Sadiku në Zvicër dhe Sokol Cikalleshi në Turqi, duke konfirmuar se përpara duelit me “të kaltërit” sulmuesit po kalojnë një moment mjaft pozitiv.