Azdren Llullaku është sulmuesi i momentit në kampionatin rumun dhe jo vetëm. Goli është kthyer në një zakon ose më saktë në një ves për futbollistin e kombëtares shqiptare, i cili vazhdon të realizojë për Gaz Metan Medias në ligën e parë të futbollit rumun. 28-vjeçari nga Istogu arriti të gjente sërish rrugën e rrjetës në javën e 16-të të kampionatit, duke u ngjitur në kuotën e 13 finalizimeve në këtë sezon. Llullaku ishte autori i golit të vetëm të Gaz Metanit në barazimin 1-1, që regjistroi skuadra e tij në transfertën e Constancas ndaj Viitorul. Në minutën 19-të, sulmuesi shqiptar ishte në vendin dhe në kohën e duhur për të shtyrë drejt rrjetës një top të mbetur në zonë, duke realizuar një gol që krijoi iluzionin e fitores për miqtë, por vendasit e Viitorul barazuan rezultatin në pjesën e dytë me sulmuesin nga Liberia Nimely.
Finalizimi i Llullakut fillimisht u anulua nga arbitri kryesor për pozicion jashtë loje, por ishte gjyqtari anësor që e akordoi golin, pasi topin 28-vjeçarit ja pasoi një mbrojtës kundërshtar. Kjo ishte rrjeta numër 13 e Llullakut në këtë sezon me kuqeziun që vazhdon të shkëputet akoma edhe më shumë në krye të listës së golashënuesve në kampionatin rumun. Llullaku është duke zhvilluar sezonin e tij më të mirë në karrierë në aspektin personal, që nga viti 2012, kur është bërë pjesë e Gaz Metanit. Ai është një nga sulmuesit më produktivë në Europë për momentin dhe falë paraqitjeve të tij me Gaz Metanin ka arritur të debutojë edhe me kombëtaren shqiptare teksa është aktivizuar nga trajneri De Biasi si titullar në sfidat kualifikuese ndaj Lihtenshtejnit dhe Izraelit.